English

Daul: Demokracia Në Shqipëri Është Vënë Në Lëvizje Dhe Parlamenti Po Funksionon

- Presidenti i Grupit të PPE, Joseph Daul, thotë se demokracia nuk është bojkot, por është punë në thellësi - TIRANË, 24 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Presidenti i Grupit të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, deklaroi sot në Tiranë, se "demokracia në Shqipëri është vënë në lëvizje dhe parlamenti po funksionon". Në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, Joseph Daul, i cili është një nga negociatorët për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, u prit në një takim nga Kryeministri Sali Berisha, me të cilin pati dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. "Jam në Shqipëri për të kuptuar më mirë situatën politikën në vend, por edhe për të diskutuar me qeverinë, mbi mënyrën se si do të zbatohet shteti i së drejtës për qytetarët shqiptarë", tha Daul për mediat. Pasi bëri një përshkrim të funksionimit të demokracisë në Parlamentin Europian, Daul u shpreh se "Shqipëria ka nevojë për një demokraci që funksionon dhe për një qeveri dhe opozitë që funksionon. Për këtë, opozita duhet të ketë vendin e saj në parlament, ku duhet të japë mendime dhe propozime". Sipas tij, "demokracia nuk është bojkot, por është punë në thellësi". Pyetjes nëse do të takohet me drejtues të opozitës gjatë vizitës në Shqipëri, Daul iu përgjigj se ka parashikuar një takim dhe i ka kërkuar kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit për të mundësuar një takim në parlament. "Ky është funksionimi normal i një demokracie, kur shkoj në një vend kështu bëj", tha Daul. Ai shprehu bindjen se "në Shqipëri ka një demokraci që duhet të funksionojë". Presidenti i Grupit të PPE u ndal dhe në negociatat pas ndërprerjes së grevës së urisë së një grupi deputetësh të PS-se, me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve. "Është e vërtetë që në radhë të parë pas grevës së opozitës, e cila nuk tërhiqej, ne kemi kërkuar, bashkë me zotin Martin Shultz, funksionimin normal të opozitës, pasi kjo nënkupton funksionimin normal të demokracisë", tha Daul. Deri tani, sipas tij, "është arritur që opozita t'i kthehet debatit". Daul solli në vëmendje faktin se është një ish-sindikalist dhe organizimi i manifestimeve dhe i bojkotit është një metodë sindikaliste. "Tani që jam deputet evropian, President i një grupi politik, nuk flas më kurrë për bojkot, kjo është demokracia, ky është kompromisi, kjo është jeta politike", tha Daul. Duke komentuar takimin pas ndërprerjes së grevës së urisë së deputete të PS-së qu u mbajt në Strasburg me pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, Daul tha se "nga ky takim u arrit njohja e qeverisë, respektimi i institucioneve dhe shtetit të së drejtës dhe që opozita të punojë brenda parlamentit". "Nuk donim të shkonim më larg dhe të fillonim : Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu, pasi ka një Kushtetutë, ka organizma ndërkombëtare që janë njohëse shumë të mira në fushën e të drejtave. Unë mendoj se Kryeministri i dha mundësi funksionimit të Shtetit të së Drejtës dhe ai funksionon në nivelin e opozitës. Nuk dua të kritikoj zotin Rama, por i thashë se në një demokraci jeni në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, në një demokraci, rregullat demokratike duhet të funksionojnë në një mënyrë të tillë që në zgjedhjet e ardhshme të mund të jenë në shumicë", u shpreh Daul. Në përfundim ai tha se Parlamenti Evropian nuk është bërë për t'u diktuar ligjin shqiptarëve. "Thjesht, nëse ne mund të ndihmojmë që demokracia të funksionojë normalisht do të ishim shumë të kënaqur dhe mbi të gjitha, ne nuk do të përzihemi më atë çfarë ndodh në fushatat elektorale, në gjirin e partive politike", u shpreh Daul./s.s./
KOMENTE