English

Daul: Forcat Politike Të Punojnë Për Të Garantuar Të Drejtat Dhe Liritë E Shqiptarëve

- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti kryetarin e Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Joseph Daul- TIRANË, 24 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Joseph Daul, u shpreh sot gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të punojnë çdo ditë për të garantuar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve. "Opozita duhet të marrë përgjegjësitë dhe të kontribuojë në proceset politike dhe legjislative që nevojiten. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjitha forcat politike pa përjashtim duhet të punojnë çdo ditë për të garantuar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve", tha Daul në takimin me znj.Topalli. Kryetarja e Kuvendit, pasi falenderoi z. Daul për mbështetjen dhënë Shqipërisë, së fundi edhe me vendimin e Komisionit të Jashtëm për heqjen e vizave, tha se "ne kemi mbështetur dhe mbështesim çdo deklaratë të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Vendimi për heqjen e vizave është një vendim historik i shumëpritur", Duke u ndalur tek veprimtaria parlamentare, znj.Topalli tha se Kuvendi ka punuar fort në këtë periudhë, duke miratuar mbi 180 ligje e reforma bazë të kuadrit ligjor, integrues. "Shpresoj që grupi parlamentar socialist të kontribuojë në të mirë të vendit dhe integrimit europian të tij. Nga ana e saj maxhoranca ka ofruar hapësirën maksimale për reformat, veçanërisht atë elektorale, duke i dhënë opozitës mundësinë të propozojë amendamentet për kodin elektoral, të cilat ne jemi të gatshëm t'i miratojmë", tha Topalli Ajo shprehu dëshirën "që opozita të mos bëhet bllokuese, por kontribuese edhe në ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, në respekt të shtetit ligjor". Z. Daul vlerësoi vendimin e maxhorancës për t'i dhënë një hapësirë të tillë opozitës për reforma kaq të rëndësishme. /a.s/ /s.s./
KOMENTE