Deputetet E Ps-Se Braktisin Seancen Plenare
TIRANE, 24 Qershor/ATSH/.- Deputetët e Partisë Socialiste (PS) të opozitës braktisën sot pasdite punimet e Kuvendit, në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimeve në rregulloren parlamentare, të shqyrtuara përgjatë katër orëve debati parlamentar.
Largimit të deputetëve të majtë i parapriu fjala e kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili tha se opozita nuk do të bëhet bashkëfajtore me këto ndryshime të rregullores së Kuvendit.
"Amendimi i rregullores e lë krizën politike në vend të pazgjidhur dhe përmes saj synohet goditja e integritetit politik të deputetëve", u shpreh kreu i grupit socialist, ndërsa më pas së bashku me kolegët e tij u largua nga salla.
Më pas, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, duke mbrojtur ndryshimet në rregullore tha se ato sjellin një frymë të re në Kuvend.
Amendimi i rregullores, që është dhe dokumenti themelor i funksionimit të Kuvendit, synon votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ndryshe nga deri më sot, kur votimi i tyre bëhej me kuti ose i fshehtë me elektronikë.
Ky ndryshim parashikon gjithashtu dhe ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit në Kuvend, nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë.
Përgjatë katër orëve debat maxhoranca dhe opozita u pozicionuan kundër në qëndrimet e tyre për amendimet në fjalë. Shumica në Kuvend mbron votimin e hapur të dekreteve presidencialë, që sipas saj, është një procedurë që i përgjigjet zhvillimeve të parlamentit shqiptar. Sipas saj, amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit.
Nga ana tjetër, për opozitën ndryshimi i rregullores synon t'u heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota.
Seanca plenare e Kuvendit u ndërpre rreth orës 16.15 minuta për të rifilluar në orën 18:30.
/s.s./