English

Deri në vitin 2013 shqiptarët në një shtet?!

Shkup, 24 Qershor, - “Lista e Shqipërisë Natyrale” është organizatë jashtë-partiake e cila do të mbledhë rreth vetes shqiptarët e të gjitha opsioneve politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera.

Kreu i saj, politikologu Koço Danaj, ka kumtuar se kjo listë do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare në Shqipëri, Kosovë si dhe në të gjitha vendet tjera të rajonit ku edhe jetojnë shqiptarët.

“Qëllimi është që përmes institucioneve të kërkohet bashkimi i shqiptarëve në një shtet deri në vitin 2013. Pjesëmarrës të kësaj liste do të jenë “ Pjesëtarët nga trojet shqiptare si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali I Zi dhe gjithë diaspora”, ka theksuar Danaj.

Zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni do të gjejnë këtë organizëm politik edhe në Maqedoni, por rreth kësaj organizatorët kanë theksuar se është duke u punuar.

Ata kanë theksuar se e pashmangshme është nevoja për shtetin e ri shqiptarë i cili siç theksohet do të realizohet me të gjitha mjetet paqësore për të cilat edhe janë përcaktuar shqiptarët.

Sipas sondazhit të fundit nga Galup-International 74 për qind e qytetarëve të Kosovës dhe 72 për qind e qytetarëve të Shqipërisë janë përcaktuar për bashkimin kombëtar dhe me pjesëmarrjen në zgjedhje dëshirohet që kjo përqindje e madhe të konvertohet në vota të popullit shqiptarë që institucionalisht të kërkohet bashkimi i trojeve shqiptare.

Qëllimi afatshkurtër i kësaj Liste është që njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 2012, të shënohet me Konfederatën Shqipëri-Kosovë theksojnë organizatorët.

Sllogani i kësaj liste për opinionin ndërkombëtar është “Paqe me gjithë Botën, miqësi me Evropën, dashuri me SHBA-të” derisa porosia vendeve të rajonit është “Paqe dhe respekt me fqinjët por secili në shtëpinë e vet”.

NOA-INA

KOMENTE