Durrës: Mbërrijnë Mjetet Për Ndërtimin E Autostradës Morinë-Prishtinë
DURRËS, 24 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Mjetet e specializuara që do të përdoren për ndërtimin e ausostradës Morinë-Prishtinë në Kosovë, mbërritën mbrëmjen e kaluar me anije në portin detar të Durrësit.
Burime pranë Autoritetit portual, bënë të ditur për ATSH-në se mbi 90 mjete të rënda dhe kamjonë me kapacitet mbi 15 ton dhe një ngarkesë të përgjithshme prej afro 2 mijë ton, janë transportuar me anijen e specializuar "Kompozitor Novikov" nga Turqia drejt Durrësit.
"Ato po shkarkohen sot paradite dhe më pas në grupe të vogla, do të udhëtojnë me rrugë drejt Kosovës," thanë burimet, duke shtuar se pas tre ditësh në portin e Durrësit do të mbërrijë me traget edhe grupi i dytë i mjeteve të specializuara për ndërtimin e "rrugës së kombit" në pjesën e Kosovës.
Mjetet e tipeve të ndryshme, kryesisht prodhime të viteve të fundit janë sjellë nga kompania Bechtel Enka, fituese e tenderit për ndërtimin e rrugës në segmentin Vërmicë-Prishtinë.
Autostrada që do të ndërtohet në Kosovë do të lidhet me pjesën Durrës-Kukës-Morinë në Shqipëri dhe do të vijojë më tej për 118 km drejt Prishtinës, duke u kthyer në arterien kryesore për lidhjen me detin Adriatik dhe portin detar të Durrësit./ch/