Ekon- Whittle: Ne Shqiperi, Rritja Ekonomike Do Te Vazhdoje
eklaron për ATSH-në, Drejtori i Raiffeisen Bank, Oliver Whittle-
TIRANE, 24 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Drejtori i Raiffeisen Bank, në Shqipëri Oliver Whittle, konfirmoi në një prononcim për ATSH-në, se ekonomia e Shqipërisë ka arritur të ruajë zhvillimin e saj pozitiv në termat e rritjes dhe stabilitetit.
Duke iu referuar publikimeve të fundit nga institucionet ndërkombëtare, Z.Whittle mendon se në një kohë kur ekonomia e Shqipërisë u rrit me 7.8% në 2008 dhe më shumë se 3% në 2009, vendi do të kete përsëri rritjen më të madhe të GDP në Evropën Juglindore në 2010, që sipas tij, kjo shifër mund të shkojë më tej në një rritje progresive në 2011.
Drejtori i Raiffeisen Bank, Oliver Whittle, deklaron se "vitin e kaluar, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, ekonomia e të cilit u rrit dhe ky është një sukses i madh"
Përveç rritjes së GDP dhe zhvillimit të mirë të sektorit financiar, vecanërisht në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, Whittle konsideron edhe një sërë faktorësh që duhet të mbështesin suksesin afatgjatë të vendit. Kështu, veç sektorit premtues të energjisë dhe ndikimit pozitiv ekonomik nga përmirësimi i përgjithshëm i infrastrukturës, ai sheh edhe një potencial të madh në turizëm.
Në 2004, Raiffeisen International bleu Banken Shtetërore të Kursimeve dhe e shndërroi atë në Raiffeisen Bank Shqipëri. Me një total asetesh prej 1.8 miliardë euro në fund të 2009, Raiffeisen Bank ishte banka më e madhe në Shqipëri me një pjesë tregu prej rreth 28 për qind./a.gj/