English

Fatmir Toçi: Çështja e zgjedhjeve, për ne mbetet e hapur

Tiranë, 24 Qershor, NOA – “Sot kemi një ndërgjegjësim mbarëpopullor për drejtësinë e kauzës së PS për transparencën e plotë të zgjedhjeve, kemi ndërkombëtarizimin e problemit dhe angazhimin e institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e tij nëpërmjet konsensusit dhe bisedimeve midis palëve; të gjitha këto në truallin e një krize të përgjithshme që ka vënë në vështirësi çdo sektor të vendit”.

Kështu ka deklaruar sot në seancë plenare, deputeti socialist Fatmir Toçi, sipas të cilit, qeveria dhe mazhoranca vazhdojnë të mbeten të pozicionuara në faktin se kapitulli i zgjedhjeve është mbyllur.

“Po për opozitën ishte dhe është problem i hapur, jo kontestimi i numrave në qeverisje, por mënyra se si janë prodhuar këto numra”, apeloi ai.

Më tej, ka shtuar se mbledhja e ministrave të jashtëm të BE-së, deklarata e para pak ditëve e Parlamentit Evropian, por edhe Rezoluta e djeshme e Komisionit të Jashtëm të saj shprehin keqardhjen që forcat politike shqiptare nuk kanë arritur të zgjidhin ngërçin politik, duke theksuar se në këtë mënyrë pengojnë edhe aspiratat evropiane të shqiptarëve.

“Sot, pothuaj një vit pas përfundimit të një procesi zgjedhor të manipuluar, një gjë është e qartë: Dosja shqiptare ka si titull të saj në ballinë: Kriza politike shqiptare. Një krizë, e cila i ka rrënjët te kutitë e mbyllura dhe përpjekjet për të penguar me çdo kusht hetimin e plotë të zgjedhjeve. Partia Socialiste është shprehur qartë: zgjidhja vjen vetëm në një mënyrë: me transparencë, që të garantohet nesër institucioni i zgjedhjeve, i cili është në themel të gjithçkaje”, bëri me dije deputeti Toçi.

n.e/NOA

KOMENTE