English

Fishë Teknike - Nesër "G8" Në Kanada, Samiti I 36-Të I Të Mëdhenjve Të Tokës

TORONTO, 24 qershor /ATSH-ANSA/ - Nesër dhe pasnesër do të zhvillohet në Kanada samiti i 36-të i tetë vendeve më të industrializuara të botës (G8). Një samit historia e të cilit i ka themelet në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur krizat e mëdha të naftës dhe nevoja për të reaguar ndaj recesionit i dhanë jetë idesë për një forum ndërmjet vendeve më të mëdha të industrializuara të botës. Në vitin 1974 Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan të ashtuquajturin "Library Group", një grup ndërmjet liderëve financiarë: Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Japonia dhe SHBA-ja. Por mbledhja e parë "zyrtare" e grupit, që nesër në Musokova (dy orë larg Torontos) do të shënojë takimin e 36-të, daton në nëntor të vitit 1975 në Rambouillet të Francës kur presidenti i atëhershëm Valery Giscard d'Estaing mblodhi një samit në të cilin mori pjesë edhe Italia, duke formuar kështu për herë të parë grupin e të Mëdhenjve: G6-ta ku "G" qëndron për të Mëdhenj, nga anglishtja 'Great'. Pas një viti, gjashtë fuqive i shtohet Kanadaja. Nga G6-të grupi bëhet G7-të, një format që me kalimin e viteve regjistroi edhe pjesëmarrjen e vendeve të tjera, siç ishte ajo e ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Në vitin 1994, në samitin e Napolit, u ngrit P8-ta, ku 'P' qëndron për 'politik', formuar nga fuqitë e G7-ës plus Rusinë. Mbledhjet e këtij grupi të ri duhej të zhvilloheshin në përfundim të samiteve të G7-ës, por në vitin 1997, në Denver, Moska mori pjesë edhe në G7-të, kështu që vitin tjetër grupi u bë G8-të (në samitin e Birmingamit). Në vendet e G8-ës jeton rreth 13 për qind e popullsisë botërore, por këto vende përbëjnë rreth 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të gjithë Planetit dhe shtatë nga këto tetë vende janë në renditjen e dhjetë vendeve me PBB-në më të lartë në botë. Nëse objektivi fillestar ishte ai për t'u përballur me krizat ekonomike të viteve shtatëdhjetë, në veçanti për krizën e naftës dhe reformën e sistemit monetar ndërkombëtar pas fundit të sistemit Bretton Woods dhe braktisjes së shkëmbimit në ar të dollarit, temat e diskutimeve filluan të zgjeroheshin. U fol duke kaluar nga makroekonomia te pasojat mikroekonomike, nga problemet lidhur me krimin e organizuar te shpërndarja e lëndëve narkotike, nga kontrolli i armatimeve dhe deri te terrorizmi. Tema për të cilat u zhvillua një rrjet takimesh dhe mbështetjeje në nivel ministror: ministrat e Tregtisë (1982), të Punëve të Jashtme (1984), të Financave (1986), Mjedisit (1992) dhe ministrat e Punës (1994). G8, që nuk është një organizatë ndërkombëtare por një kuadër takimesh informale në nivelet më të larta, është alternuar gjatë viteve me samite të krerëve të shteteve dhe qeverive, me samite në rang ministrash dhe me grupe pune që kanë trajtuar tema të tjera si shëndeti, zhvillimi, bërthamorja, riciklimi i parave të narkotrafikut dhe lufta kundër kriminalitetit. Megjithatë, ministrat e Ekonomisë dhe Financave vazhdojnë të mblidhen në formatin G7, duke pasur kompetenca specifike ekonomiko-financiare krahasuar me G8-ën. Deklaratat e këtyre samiteve nuk kanë karakter ligjor, por përbëjnë angazhime politike në nivelet më të larta dhe tregojnë objektivat kryesore të demokracive të industrializuara për tema të rëndësishme, siç janë financa, zhvillimi, paqja dhe mjedisi. Nga vitet nëntëdhjetë liberalizimi i tregjeve të kapitaleve dhe rritja e flukseve, së bashku me rritjen e ekonomive në zhvillim dhe kompleksitetin e sfidave të reja, nga ndryshimet klimatike te politikat e zhvillimit, e shtynë G8-ën të promovojë dialogun me vendet në zhvillim dhe në veçanti me Afrikën. Duke nisur nga samiti i Heiligendamit, mori nismë një dialog më i fortë me ekonomitë kryesore në zhvillim për çështjen e investimeve, energjisë, novacionit dhe zhvillimit. Presidencat e G8-ës kalohen në mënyrë të rregullt - Franca, SHBA, Britania e Madhe, Rusia, Gjermania, Japonia, Italia dhe Kanadaja - ndërsa Bashkimi Evropian nuk merr pjesë në marrjen e presidencës por përfaqësohet plotësisht në grup me presidentin e Komisionit dhe kreun e shtetit ose qeverisë së presidencës së radhës. Ndërsa Këshilli Evropian është i pranishëm si vëzhgues. /e.v/
KOMENTE