Francë - Rreth 47 000 Persona Sipas Policisë Manifestojnë Kundër Reformës Së Pensioneve
PARIS, 24 qershor /ATSH-AFP/ - Rreth 47 000 persona, sipas policisë, 130 000 sipas CGT-së, sindikata më e madhe franceze, manifestuan sot në Paris kundër reformës së pensioneve duke shënuar një mobilizim më të madh se ai i mëparshëm.
Francezët u mobilizuan sot masivisht kundër projektit qeveritar të rritjes së moshës minimale të pensionit nga 60 në 62 vjeç deri në vitin 2018. Gjatë manifestimit të mëparshëm, më 27 maj, 22 000 persona dolën në rrugët e Parisit, sipas policisë, 90 0000 sipas CGT-së.
Në të gjithë Francën, ku janë njoftuar rreth 200 manifestime, CGT-ja shpresonte të mblidhte sot dy milionë manifestues.
Greva u mbështet nga shërbimet publike, në veçanti arsimi dhe nga transportet. Qarkullimi hekurudhor ishte i rënduar, pasi funksiononte vetëm një nga dy trena të shpejtësisë së madhe, TGV, në nisje apo me destinacion Parisin dhe qytete të tjera në botë.
Sindikatat dhe partitë e majta e cilësojnë "të padrejtë" reformën e sistemit të pensioneve që i takon një përvoje sociale simbol të viteve Miteran dhe që ka shkaktuar një kundërshtim të fortë.
Qeveria shprehet se shtyrja e moshës minimale të daljes në pension është opsioni më i mirë për garantimin e nevojave të financimit të vlerësuara në 70 miliardë euro deri në vitin 2030.
I.Pu.