English

G20 - Juani Protagonist, Presidenti Hu Jintao I Pranishëm Në Samit

PEKIN, 24 qershor /ATSH-ANSA/ - Presidenti kinez Hu Jintao ndodhet në Kanada për një vizitë zyrtare dhe për të marrë pjesë personalisht në samitin e G20-ës që do të zhvillohet në fundjavë në Toronto. Çfarë parashikohet të ndodhë, të paktën në takimet bilaterale dhe në veçanti në atë me presidentin amerikan Barak Obama, është se presidentit kinez do t'i kërkohen shpjegime për politikën e tij monetare dhe për qëllimet e tij për sa i përket çështjes së Koresë së Veriut. Lëvizja surprizë në prag të samitit (deklarata e bankës qendrore kineze për një juan më fleksibël) u transformua në fakt në një mënyrë që ngriti mëdyshje dhe nuk u konsiderua e mjaftueshme nga amerikanët, të cilët e akuzojnë Pekinin se e mban artificialisht në nivel të ulët vlerën e juanit. Disa prej tyre, si demokratë po ashtu edhe republikanë, konfirmojnë se vlera e juanit në treg duhet të jetë 40 për qind më e lartë se ajo e caktuar nga Kina, e cila cakton çdo ditë një nivel këmbimi referues i cili lejon luhatje deri në 0.50 për qind, negativisht ose pozitivisht. Në fillim, njoftimi i Kinës zyrtare shkaktoi eufori në tregjet botërore dhe juani arriti vlerën e tij më të lartë në katër vitet e fundit. Ditë më pas, blerja e sasive të mëdha dollari nga bankat e mëdha publike kineze e ulën me disa pikë nivelin e këmbimit të monedhës kineze. Por shumë pak kjo për të "blerë" heshtjen e politikanëve amerikanë, të cilët kërkojnë marrjen e masave të ashpra legjislative për të rritur koston e eksporteve kineze. Sipas zëdhënësit të qeverisë kineze, Qin Gang, G20-ta e Torontos ka detyrën për të "... përforcuar komunikimet dhe bashkëpunimin për të siguruar nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale, duke marrë në konsideratë se rimëkëmbja aktuale është ende e pastabilizuar dhe pak e ekuilibruar", dhe jo ajo për të diskutuar "për problemin e nivelit të këmbimit të valutës të një vendit të vetëm". Liderët e vendeve të industrializuara që marrin pjesë në samit, por edhe ata të disa vendeve në zhvillim siç është India, të cilat kanë rezerva për mungesën e ekuilibrave në marrëdhëniet tregtare me Pekinin, "do të kërkojnë garanci se nga ana e Kinës angazhimi për të rritur vlerën e juanit do të jetë i sinqertë", deklaroi profesor Patrick Chovanec, i Universitetit Tsinghua të Pekinit. Presidenti Hu do të jetë nën presion edhe për çështjen e Koresë së Veriut, e cila akuzohet nga Koreja e Jugut se ka fundosur me qëllim anijen e saj luftarake Cheonan, duke vrarë 46 marinarë. Veriu ka probleme me ndërkombëtarët edhe për çështjen bërthamore. Seuli dhe Uashingtoni kërkojnë në fakt një ndërhyrje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara por Pekini deri tani ka refuzuar ta dënojë hapur Phenianin, një aleat "historik". Parashikohet se presionet do të shumëfishohen pasi Pekini, pak ditë më parë, votoi në favor të sanksioneve ekonomike kundër Iranit, kur edhe ky i fundit po zhvillon një program bërthamor si ai koreanoverior që ndërkombëtarët i atribuojnë qëllime ushtarake. Në një intervistë të publikuar sot nga e përditshmja "Global Times", profesor Niu Xinchun, i Institutit të Pekinit për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore, thekson se "në tre samitet e fundit të G20-ës, të arrish marrëveshje për paketat e stimulit ka qenë relativisht e thjeshtë, duke marrë në konsideratë se të gjitha vendet ishin prekur nga kriza". Tashmë që të gjithë po rimëkëmben, "pavarësisht se me hapa të ndryshëm, të gjithë do të rifillojnë të bënë llogaritje egoiste", shton profesori. "Pra G20-ta duhet të konsiderohet më së shumti si një platformë për dialogun, se sa një mekanizëm ndërkombëtar që kërkon detyrime ligjore", përfundon profesori. /e.v/
KOMENTE