English

Gates: Shba-Ja Mbetet E Vendosur Në Misionin Në Afganistan

UASHINGTON, 24 qershor /ATSH-AFP/ - Shtetet e Bashkuara mbeten "të vendosura" në misionin e tyre në Afganistan pas dorëheqjes së gjeneralit McChrystal, i cili drejtonte koalicionin ndërkombëtar në vend, u shpreh sot ministri amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. "Kundërshtar apo mik, asnjë nuk duhet ta keqinterpretojë këtë ndryshim personash si një ngadalësim të angazhimit të kësaj qeverie në misionin e saj në Afganistan", deklaroi Gates në një konferencë shtypi lidhur me zëvendësimin e gjeneralit McChrystal nga gjenerali Petraeus. "Vazhdojmë të jemi të vendosur në kryerjen e këtij misioni dhe në zbatimin e strategjisë ushtarake globale të kërkuar nga presidenti për arritjen e objektivave tona", këmbënguli ai, duke e vlerësuar zëvendësimin e gjeneralit McChrystal si "zgjidhja më e mirë e mundshme e një situate të shëmtuar". Gjenerali McChrystal u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i shefit të trupave të NATO-s në Afganistan pas deklaratave troditëse me anë të të cilave kritikonte administratën amerikane në një artikull. Presidenti Barak Obama njoftoi dje emërimin e gjeneralit David Petraeus në vend të tij. Admirali Michael Mullen, shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura, i cili ndodhej pranë Gates, njoftoi se do të shkojë që sot në Afganistan dhe Pakistan. "Do të nisem këtë mbrëmje për në Afganistan dhe më tej në Pakistan. Do të takohem me zyrtarë ushtarakë dhe civilë në të dy vendet dhe do të takohem për pak kohë me trupat tona", bëri të ditur ai. "Mesazhi im do të jetë i qartë: asgjë nuk ndryshon lidhur me strategjinë tonë, asgjë nuk ndryshon për sa i takon misionit tonë", tha prerë ai. /I.Pu.
KOMENTE