Interviste 3/Pagat Dhe Pensionet Do Te Rriten, Kjo Është Strategji Konstante E Qeverisë
Ë
-Deklaron në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, ministri i Financave Ridvan Bode-
TIRANE 24 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/-
ATSH: Për shkak të tronditjes së tregjeve nuk dolët dhe tani po shikoni mundësinë e emetimit të një bonojë në tregun e brendshëm. Cila është strategjia juaj?
Z.R.Bode: Zëvendësimi i kësaj strategjie nga domosdoshmëria për të importuar, për të marrë eurot në tregjet financiare, për të mbajtur stabilitetin në kursin e këmbimit të lekut, në strategjinë që mund të përdorej, për shkak të situatës relaksuese që është krijuar në raport me presionin mbi mbivlerësimin e euros, mendoj që na bën që ne të mund t'i adresohemi dhe tregjeve të brendshme duke mbetur gjithnjë në tregun financiar ndërkombëtar, të gatshëm për të marrë pjesë. Ne do të japim një zgjidhje të shpejtë, nuk mund të mbajmë vendin gjithnjë në pritje për të shitur eurobondin, por të japim një zgjedhje. Do të jetë një mundësi për financim, qoftë kredi sindikale, apo bono thesari në euro në tregun tonë të brendshëm, por nuk do të thotë patjetër me blerës të brendshëm, do të preferonim blerës të huaj. Jemi në tratativa për të bërë një zgjidhje të tillë dhe për të financuar me lekë shqiptarët nga sistemi bankar, i cili vazhdon të jetë overliquid, për shkak të rritjes së madhe të depozitave.
Përsa i përket emetimit të bonos në tregun e brendshëm do të fillojmë që në javën e adhshme dhe mund të jenë disa operacione. Sasia do të jetë e vogël, ndërsa tregu vendas është i favorshëm, pasi ka shtim të fluksit të depozitave prej rreth 250 milionë euro për 5 muajt e fundit. Sasia totale që mund të synojë ministria e Financave, është shumë më e vogël se kaq, por ne mund të bëjmë edhe vetëm një instrument të vetëm. Kemi bërë shpalljen për një ankand prej 25 milionë euro javën e ardhshme dhe ky mund të jetë i vetmi, por mund të ketë edhe një ose dy operacione, që mund të bëjmë gjatë muajve të ardhshëm në pritje të gjetjes së kushteve të përshtatshme të tregjeve për emetimin evendual të eurobondit. Jemi mjaft të ndërgjegjshëm dhe e konsiderojmë me shumë kujdes jo vetëm gjendjen e likuditetit në tregun e brendshëm, pra në euro normat e interesit, por jemi të vëmendshëm dhe për efektin potencial për të mos cënuar likuiditetin në euro për sektorin privat.
Ato fonde që ne do të targetojmë, do të jenë likuiditete që nëse nuk do t'i thithë qeveria, do të shkojnë jashtë vendit në tregjet europiane dhe siç ndodh shpesh, do të riktheheshin në tregun vendas duke i'u shitur qeverisë me çmime më të shtrenjta.
Eshtë një likuiditet shtesë që nuk tërhiqet nga tregu privat, është i shtuar në këtë moment kryesisht për shkak të hyrjeve nga fillimi i sezonit dhe nga kriza greke, ndaj dhe synojmë të tërheqim këtë likuiditet pa cënuar normën e inetresit, kursin e këmbimit dhe pa cënuar likuiditetin në disponibilitet të tregut privat.
ATSH: A do ta thellonte akoma më tepër borxhin e brendshëm?
Z. R. Bode: Huamarrja e këtij viti është e përcaktuar me ligj të buxhetit, ne kemi një tavan huamarrje i cili është gjithsej 49 miliardë lekë dhe nga këto 15 miliardë lekë, rreth 150 milionë dollarë, do të jenë financime nga kreditë e zhvillimit që ne kemi projekte në vijim. Rreth 34 miliardë lekë do të jenë financime përmes instrumenteve që shërbehet buxhetit, që do të thotë, bono thesari, kredi sindikale, apo çfarëdolloj tjetër instrumenti që do të përdoret. Nuk mund të ketë tejkalim të kësaj shume, por në përputhje me këtë autorizim që ka dhënë parlamenti për deficitin e vendit. Deri më sot që jemi mesi i gjashtëmujorit të parë, gjysma e vitit, kemi marrë vetëm 15 miliardë lekë hua. Sigurisht që ky gjashtëmujor i parë ka pasur disa shpenzime më të rritura nga sa do të ketë gjashtëmujori i dytë, që lidhen me avancimin e punimeve në investimet publike, që ka qenë dhe pagimi i tyre. Pra, nuk ka rrezim të tejkalimit të deficit, nuk ka asnjë rrezik, asnjë arsye apo eveniment që mund të ndodhë që ne mund të tejkalojmë atë që ka autorizuar ligji. 15 nga 49 sa është 32%, pra në fund të gjashtëmujorit ne jemi me 1/3 të asaj që na ka autorizuar parlamenti.
ATSH: Z. Bode kush është pika më e dobët e financave të Shqipërisë, borxhi i brendshëm, është bilanci i import-eksporteve?
Z. R.Bode: Lidhur me borxhin publik të Shqipërisë, po ta marrësh nga niveli total nuk është i neglizhueshëm. 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sigurisht është më i ulëti ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por po të marrim vendet e tjera në zhvillim apo në proces integrimi ose të integruara së fundmi, siç janë vendet e rajonit tonë, ne kemi një borxh relativisht më të lartë prej tyre. Por ajo që është pozitive për borxhin publik të Shqipërisë, është se ai është një borxh shumë i shëndetshëm. Ajo që është e rëndësishme është se sa kushton borxhi publik i një vendi dhe Shqipërisë i kushton më pak nga vendet e tjera, edhe pse ka në përqindje më të madhe, por kostoja sa na kushton ne në një vit borxhi është më i ulët nga vendet e tjera. Ne na kushton 3 lek për çdo 100 lekë PBB, Greqisë i kushton shumë më tepër. Nga pikëpamja e rrezikut, borxhi jonë nuk është i rrezikshëm, sepse ne kemi borxh të brendshëm që është në lek, që lidhet me kursimet e qytetarëve shqiptarë, që zë 2/3 e borxhit publik të Shqipërisë. 1/3 është borxh i huaj, 74% e tij janë borxhe apo kredi që kemi afat-gjata me bankat e zhvillimit, me Bankën Botërore, me BERZH, bankën e Këshillit të Europës, fonde të ndryshme që kanë financuar investime të caktuara në Shqipëri, dhe këto kredi janë kredi afat-gjata me deri në 40 vjet ka kredi, dhe me norma shumë të ulëta interesi që janë nën 2% ose rreth 2%. Ekonomia jonë realisht e përtyp borxhin publik pa sforcim. Ne kemi një borxh tregtar 230 milion që i kemi marrë në vitin 2008 janë borxhe që janë më të mira se borxhet e zhvillimit që jepen sot. Dhe kemi vetëm atë borxhin e vitit 2009 që morëm në periudhë krize. Në tërësinë e saj ne kemi një borxh me kosto më të ulët dhe po t'i marrësh ndër vite ka ardhur duke rënë. Borxhi publik ka qënë 5.7 % e prodhimit të brendshëm në vitin 2000, 4 në vitin 2001, 4 në vitin 2002, 4.3 në vitin 2003 dhe 3.8 % në vitin 2004 që ishte edhe viti i fundit i qeverisjes socialiste. Ne e kemi rreth 3% të PBB-së sot. Pra borxhi publik i madh është aq i madh sa është ulur të paktën me 30% kostoja e tij në vitet e fundit. Nuk është i rrezikshëm, është i manovrueshëm, është i shërbyeshëm, por nuk duhet tepruar.
ATSH: Z. Bode Ku duhet të përqëndrohemi për të vijuar të mbajmë larg krizës ekonominë tonë ?
Z.R.Bode: Unë mendoj që duhet të vazhdojmë të mbetemi të përqendruar tek ekonomia, tek mundësia që ekonomia shqiptare të prodhojë më shumë dhe të eksportojë. N.q.s kemi një rritje të mirë të eksporteve këtë vit kjo lehtëson edhe problemet që lidhen me kursin e këmbimit, por ka lehtësuar edhe probleme të tjera që lidhen me importet në përgjithësi sepse një rritje e madhe e prodhimit do të uli importet. Realisht kemi një bilanc tregtar jo të mirë, jemi importues neto, jemi me deficit tregtar që shkon rreth 20% e PBB në vit. Dhe po ashtu elementi i dytë i cili ka nevojë të përqendrohemi dhe që lidhet me të parin ka të bëjë me bilancin e pagesave të vendit sepse jemi një vend me deficit në bilancin e pagesave, i cili është përmirësuar edhe gjatë vitit të kaluar, duket shumë i përmirësuar pozicioni gjatë muajve të parë të këtij viti, por ne duhet të vazhdojmë të mbetemi të interesuar për të bërë përmirësimin e këtyre treguesve, tregues që lidhen edhe me fazën e zhvillimit apo me nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe që nuk janë objektiva të një dite apo objektiva afat-shkurtra, do të jenë afat-mesme dhe afat-gjata. /a.gj/