Këshilli Bashkiak I Korçës I Jep Titullin "Emblema E Artë E Qytetit" Një Mësueseje Italiane
la/. - Këshilli bashkiak i Korçës i ka akorduar titullin "Emblema e artë e qytetit", mësueses së shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Faik Konica" , në Korçë, znj. Giana Pierdomeniko, njëherazi edhe korrespodente konsullore për Korçën e Ambasadës Italiane në Tiranë.
Në cermoninë e organizuar me këtë rast ditën e sotme, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës "Vangjush Mio", Kryetari i këshillit bashkiak, Gjergji Pendavinji, i dorëzoi znj. Pierdomeniko titullin "Emblema e artë e qytetit", me motivacionin "Për kontribut në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Italisë dhe punë të mirë si mësuese, studiuese dhe arkeologe".
Znj. Giana Pierdomeniko, pasi falenderoi për titullin, tha se "pas pesë vjet qendrimi dhe pune në Korçë e ndjej veten korçare. Jam shumë krenare që kam punuar për Korçën. Nxënësit për mua kanë qenë gjithçka, por edhe mësuesit, qyteti, ju të gjithë".
Giana Pierdomeniko ka lindur në Romë në vitin 1952 dhe është diplomuar për psikologji-pedagogji në universitetin e Padovës në vitin 1976. Në qytetin e Korçës ajo erdhi në vitin 2005 si mësuese e gjuhës italiane dhe korrespodente konsullore e Ambasadës Italiane. Gjatë punës në këtë qytet, u dallua si mësuese, studiuese dhe bamirëse. Një kontribut të veçantë, ajo ka dhënë në dhënien e bursave për nxënësit dhe studentët që studiojnë në Itali dhe në dërgimin e mjaft të sëmurëve për mjekim në këtë shtet. Gjatë qendrimit në Korçë ajo botoi edhe një libër, të titulluar "Tuma e Kamenicës, probleme arkeologjike"./s.s./