English

Kooperacioni Italian, dhurata për Muzeun Historik Kombëtar

Tiranë, 24 Qershor, NOA – Ambasada Italiane do t’ia dhurojë materialet e përdorura për nismën “Së bashku për Evropën- 1990-2010 Kooperacioni Italian për Zhvillim për Shqipërinë”, Muzeut Historik Kombëtar, institucionit ku kjo nismë u zhvillua gjatë datave 12 prill-9 maj.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Ambasadës Italiane për Agjencinë e Lajmeve NOA, duke shtuar se të pranishëm në këte event do të jenë drejtori i Zyrës për Bashkëpunim e Zhvillim, Flavio Lovisolo dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Maltezi.

Materialet, të përbëra nga pajisjet tekniko-informatike si kompjuter, printera, pajisjet Vi-Fi, ekran dixhital dhe funksionalet si karrige për salla mbledhjeje, tavolina, recepsion do të përdoren brenda muzeut për të përmirësuar efiçencën e sallave, shtrirjen e sistemit informatik dhe mikpritjen e publikut.

Ky akt dhurimi shpreh jo vetëm mirënjohjen për bashkëpunimin efektiv gjate nismës “Së bashku për Evropën”, por edhe angazhimin nga ana e Ambasadës për të qenë pjesë e procesit të vlerësimit të një strukture që mbledh dëshmitë historiko-kulturore të Shqipërisë.

n.e/NOA

KOMENTE