Kosovë -Në Prevallë Të Prizrenit Do Mbahet Takimi I Liderëve Të Rajonit
PRISHTINË, 24 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Në Prevallë të Prizrenit, më 25-27 qershor, do të mbahet Takimi i liderëve rajonalë, në të cilin do të marrin pjesë Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgj Ivanov, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Bashkëpunimi ndërajonal pritet të jetë tema kryesore e këtij takimi, në vazhdën e takimeve që kanë pasur edhe më parë presidentët e rajonit.
Sipas Programit të takimit, të njoftuar pak më parë nga Zyra e Presidentit të Kosovës, nesër pasdite mbërrijnë Filip Vujanoviç, President i Republikës së Malit të Zi dhe Gjorgje Ivanov, President i Republikës së Maqedonisë, ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi do të mbërrijë të shtunën në mëngjes.
Gjatë paraditës së shtunë do të mbahen takimet bilaterale, ndërsa pasdite zhvillohet takimi i përbashkët i liderëve, pas të cilit është njoftuar dhe një konferencë shtypi./s.s./