Kukës: Përshpejtohen Ritmet E Ndërtimit Të Ujësjellësit Të Ri
KUKËS, 24 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Janë përshpejtuar ritmet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Kukësit që do të mundësojë furnizimin thuajse pa ndërprerje me ujë të pijshëm të mbi 35 mijë banorëve të qytetit në verilindje dhe 14 fshatrave të tij. Aktualisht punimet janë përqëndruar në hapjen e kanaleve dhe shtrirjen e tubacioneve të reja, në një gjatësi prej 11 kilometra.
"Punimet në këtë periudhë janë përqëndruar në komunat Biçaj dhe Shtiqën si dhe në rrugët e qytetit", thotë drejtori i ujësjellësit Nebi Shehu.
Projekti i ri parashikon shtrirjen e tubacioneve përgjatë rrugëve automobilistike, pasi kësisoj shmangen ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin kryesor të ujësjellësit, që aktualisht është shqetësimi kryesor për drejtuesit e ndërmarrjes.
Ndërtimi i këtij ujësjellësi po kryhet përmes një fondi prej rreth 3,5 milionë lekësh, akorduar nga drejtoria e ujësjellës-kanalizimeve dhe parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm./ch/