English

Kuvendi Miraton Ndryshimet Ne Rregullore

TIRANE, 24 Qershor/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten pasdite, vetëm me votat e maxhorancës, disa ndryshime në rregulloren e parlamentit, që lidhen me mënyrën e shqyrtimit dhe votimit të dekreteve të Presidentit të Republikës. Deputetët e opozitës braktisën seancën, pas një debati që zgjati përreth katër orë. Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës paraqitën argumentet pro dhe kundër këtyre ndryshimeve, që jane propozuar nga deputetë të maxhorancës. Përfaqësuesi i grupit nismëtar të amendamenteve në rregullore, deputeti i PD-se, Viktor Gumi tha se parlamente të ndryshme të vendeve të Europës kanë zgjedhur si model këtë votim. "Nisma e maxhorances bazohet ne modelin amerikan, si model i rëndësishëm në parimin e ndarjes së pushteteve, për transparencën e procesit dhe për zgjedhjen në krye të organeve më të rëndësishme të gjyqësorit të njerëzve me nivel të lartë morali dhe profesionalizmi", tha Gumi. Deputetët e maxhorancës theksuan se ndryshimet vendosin një praktikë shumë të mirë parlamentare. Në këtë kuadër ata u shprehën se zgjatja e kohës së shqyrtimit të dekreteve dhe votimi i hapur garantojnë standartin e transparencës, në respekt të Kushtetutës dhe opinionit të Komisionit të Venecias. Por, deputetët e opozitës kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e amendamenteve dhe deklaruan votën kundër. Deputeti i opozitës, Damian Gjiknuri, duke e konsideruar "një provë për parlamentarizmin", tha se amendimi i "rregullores synon t'iu heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota". Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, duke njoftuar largimin nga Kuvendi, tha se "amendimi i rregullores e lë krizën politike në vend të pazgjidhur dhe përmes saj synohet goditja e integritetit politik të deputetëve". Pas largimit të opozitës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u shpreh se duket se deputetët socialistë janë të vendosur të jetë kundër çdo propozimi që vjen nga maxhoranca dhe në këto kushte bashkëpunimi institucional bëhet i pamundur. Duke iu referuar amendimit te rregullores ai vuri në dukje se maxhoranca ka vendosur dhe përsosur një standard të ri që bazohet në transparencën përmes dëgjesave dhe më pas përmes votës së deputetit, të cilat do të shmangin rastin e përsëritur në të cilin politika hedh gurin dhe fsheh dorën. Gjatë seancës së sotme deputetët miratuan dhe p/ligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare "Për përgjegjësinë civile dhe dëmshpërblimin për dëmet, në lidhje me transportin e lëndëve të rrezikshme dhe helmuese përmes detit, 1996" dhe p/ligjin "Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin "Për përdorimin e armëve të zjarrit". /k.sh/
KOMENTE