English

Leddington: Pavarësia E Kosovës Është Një Fakt I Kryer, Nuk Mund Të Ketë Kthim Prapa

PRISHTINË, 24 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Pavarësia e Kosovës është një fakt i përcaktuar, nuk mund të ketë kthim prapa, tha sot në Prishtinë David Leddington, Ministër për Evropën i Mbretërisë së Bashkuar, gjatë takimit me Presidentin Fatmir Sejdiu. Zyra e shtypit e Presidencës kosovare bëri të ditur se Presidenti Sejdiu dhe ministri Leddington biseduan për proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, për sfidat, por edhe për rezultatet e arritura deri tani. Ministri David Leddington theksoi se "qeveria e re britanike mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe në kundërshtimin e saj ndaj çfarëdo bisede për ndarjen apo trajtimin e sërishëm të çështjes së statusit të Kosovës". Ai shprehu bindjen se "opinioni i pritur i GJND-së do të na ofrojë mundësinë që të lëvizim përpara, që të mos përfshihemi në debate të reja për gjërat që tashmë janë vendosur, gjegjësisht për pavarësinë e Kosovës, por në një dialog midis Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike që mund ta ndryshojnë jetën e qytetarëve në të dyja vendet". "E sigurova Presidentin se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pret me padurim që ta mbështesë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë evropianë dhe me institucionet e BE-së që të sigurojmë një përfundim të suksesshëm të këtij procesi të anëtarësimit", tha Leddington. I pyetur në lidhje me anëtarësimin e Serbisë në BE, ministri Leddington tha se është një fazë shumë e hershme përsa i përket anëtarësimit të Serbisë në BE. "Mendoj se është vështirë të mendohet se Serbia mund të anëtarësohet në BE, nëse ende ekziston një gjendje armiqësie midis Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se ajo që është me rëndësi të theksohet në këtë fazë dhe që ne në Londër dhe shtetet e tjera anëtare po i thonë Beogradit - është se ne duam që ju të anëtarësoheni plotësisht në familjen evropiane, prandaj le të fillojmë të bisedojmë seriozisht për mënyrën se si ju mund ta arrini këtë". Ministri Leddington vuri në dukje se "një pjesë e këtij procesi të ndërtimit të marrëdhënieve të plota në Evropën moderne ka të bëjë me gjetjen e mënyrave paqësore për zgjidhjen e kundërthënieve me fqinjët tuaj, e jo me kthimin tek mënyrat e vjetra dhe të tejkaluara të së kaluarës". Ai kërkoi nga liderët serbë që të përfshihen në një dialog konstruktiv për gjetjen e një mënyre paqësore për të shkuar përpara. "Nuk e di sa vjet do të lipsen, por shpresoj se një ditë në jetën tonë kufiri midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe kufiri midis Belgjikës dhe Luksemburgut", tha ai./s.s./
KOMENTE