English

Meta: Procesi i integrimit, situata politike ka ndikuar

Tiranë, 24 Qershor 2010 NOA – “Situata politike gjithnjë ka një ndikim”, - ishte përgjigjja e z.Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, për pyetjen nëse po ndikon situata politike në vend ndaj proceseve integruese.

“Gjatë këtyre nëntë muajve, pavarësisht mungesës së kontributit pozitiv nga ana e lidershipit të opozitës, janë plotësuar pothuajse të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe në asnjë moment nuk u dha një kontribut nga ana e tyre, qoftë për të miratuar ligje të rëndësishme në Kuvend, qoftë për ligjin e diskriminimit, qoftë dhe për shumë aspekte të tjera të rëndësishme të përmbajtjes së udhërrëfyesit. Unë nuk e kam humbur besimin që do të ketë reflektim dhe se ata do ti përgjigjen aspiratës për integrimin evropian, të cilën e kanë edhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e opozitës”, - deklaroi z.Meta.

Meta tha se “në radhë të parë, z. Daul e kam falënderuar për përkrahjen dhe për mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë vazhdimisht procesit integrues të Shqipërisë dhe në veçanti edhe për përkrahjen unanime që u dha dje në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku vendi ynë u inkurajua shumë qartë për të ecur përpara në rrugën e reformave. U bë shumë i qartë angazhimi i Parlamentit Evropian për të përmbyllur të gjitha procedurat për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe zonës Shengen brenda vitit aktual”.

Kurse shtoi: “Natyrisht që kemi folur edhe për shumë çështje të tjera. Dua të nënvizoj angazhimin e veçantë të Parlamentit Evropian për të përkrahur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe mendoj se ky është edhe thelbi i kësaj vizite të rëndësishme sot në Tiranë”.

Për sa i përket ngërçit politik në vend, z. Daul deklaroi para se të vinte në Tiranë se edhe moszgjidhja e kësaj situate është në fund të fundit një sjellje demokratike. Mendoni se po shkojmë drejt kësaj situatë aktualisht?

Për këto çështje ju mund ti drejtoheni vetë z. Daul, por dua të theksoj se të gjitha rrugët kanë qenë dhe janë të hapura për lidershipin e Partisë Socialiste për të ecur para me të gjitha kërkesat e saj, për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Ka qenë vetë sjellja e tyre e cila ka qenë jo konstruktive në drejtim të respektimit të institucioneve, të respektimit të Gjykatës Kushtetuese, të Kushtetutës së këtij vendi dhe unë shpresoj që ata ti shfrytëzojnë këto hapësira dhe këto mundësi. Mesazhi kryesor që vjen nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, por edhe nga deklarata e fundit e përbashkët e z. Daul dhe z. Schultz, është pikërisht fokusimi tek e ardhmja, tek reforma zgjedhore për të ardhmen dhe tek të gjitha reformat që i duhen Shqipërisë, jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat por për tu bërë sa më shpejt vend anëtar i klubit evropian.

Në fakt lidershipi socialist deklaroi nga Amerika se nëse situata politike nuk do të zgjidhet ashtu siç ata pretendojnë për transparencë, ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale?

Askush nuk ka patur dyshim në Shqipëri, që kjo nuk është një sfidë e nisur për transparencën e zgjedhjeve, por një alibi për të justifikuar një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve për shkak të frikës së kryetarit aktual të kësaj force politike për tu përballur me votuesit në kryeqytet përsëri. Natyrisht që bashkë me shumë aktorë ndërkombëtarë të cilët kanë menduar se kjo ka qenë një çështje për transparencë, e kuptojmë se mungesa e vullnetit të lidershipit të Partisë Socialiste për të shfrytëzuar të gjitha rrugët që janë rekomanduar për të zgjidhur çështjet e transparencës, ka të bëjë me përpjekjen për të dëmtuar procesin e ardhshëm zgjedhor në vend dhe unë jam i bindur që kjo lloj sjellje nuk do të shpërblehet. Përkundrazi, shpresoj që të reflektohet sa më shpejt. Askush nuk duhet të mendojë se mund të qëndrojë në një funksion ku është zgjedhur, qoftë edhe një minutë më shumë përtej mandatit ligjor, pa u rizgjedhur përsëri.

Z. Meta, a po ndikon situata politike në vend ndaj proceseve integruese?

Situata politike gjithnjë ka një ndikim. Gjatë këtyre nëntë muajve, pavarësisht mungesës së kontributit pozitiv nga ana e lidershipit të opozitës, janë plotësuar pothuajse të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe në asnjë moment nuk u dha një kontribut nga ana e tyre, qoftë për të miratuar ligje të rëndësishme në Kuvend, qoftë për ligjin e diskriminimit, qoftë dhe për shumë aspekte të tjera të rëndësishme të përmbajtjes së udhërrëfyesit. Unë nuk e kam humbur besimin që do të ketë reflektim dhe se ata do ti përgjigjen aspiratës për integrimin evropian, të cilën e kanë edhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e opozitës.

Fund

KOMENTE