English

Meta: Vizita E Daul, Angazhim I Pe-Së Për Integrim Europian Të Shqipërisë

TIRANE, 24 Qershor /ATSH- A.Gegvataj/- "Thelbi i vizitës së Kryetarit të Partive Popullore ( PE), Joseph Daul në Tiranë është angazhim i veçantë i PE-së për të përkrahur perspektivën europiane të Shqipërisë", deklaroi sot zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta pas takimit që zhvilloi me Daul. Pas takimit, në një prononcim për mediat, ministri Meta shprehu falenderimet ndaj Daul për përkrahjen që PE i ka dhënë vazhdimisht procesit integrues të Shqipërisë dhe në vecanti, për përkrahjen unanime që u dha dje në komisionin e jashtëm në PE. "Nëpërmjet rezolutës për vendin tonë, u inkurajua në mënyrë shumë të qartë për të ecur në rrugën e reformave si angazhimi i PE-së për të përmbyllur të gjitha proceduart për liberalizmin e vizave mes Shqipërisë dhe zonës Shengen", tha Meta. Duke iu referuar situatës politike në vënd, Meta theksoi se "të gjitha rrugët kanë qënë dhe janë të hapura për lidershipin e PS-së për të ecur para me gjithë kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara" Sipas Metës, sjellja e opozitës ka qënë jo konstruktive në drejtim të respektim të institucioneve dhe kushtetutës së vendit, por ai shprehu besimin se opozita do t'i shfrytëzojnë këto hapësira dhe këto mundësi. Meta nënvizoi se "tashmë më e rëndësishme është fokusimi tek reforma zgjedhore dhe për të gjitha reformat që i duhen Shqipërisë jo vetëm për të marrë statusin e vëndit kandidat, por edhe për t'u bërë sa më shpejt anëtarë i klubit europian". Lidhur me deklaratën e lidershpit të PS-së, Edi Rama për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, ministri Meta deklaroi se "askush nuk ka patur dyshim në Shqipëri se kjo nuk është një sfidë e nisur për transparencën e zgjedhjeve, por një alibi për të justifikuar një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve, për shkak të frikës së kryetarit aktual të PS-së për t'u përballur me votuesit në kryeqytet". "Edhe aktorët ndërkombëtarë, që kanë menduar se kjo ka qënë një çështje për transparencë, po e kuptojnë që mungesa e vullnetit të lidërshpit të PS për të shfrytëzuar rrugët që janë rekomanduar, ka të bëjë me përpjekjet për të dëmtuar procesin e ardhshëm zgjedhor", nënvizoi Meta. "Askush nuk duhet të mendojë se mund të qëndrojë në një funksion ku është zgjedhur, qoftë edhe një minutë më shumë përtej mandatit ligjor, pa u rizgjedhur përsëri", theksoi ai. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi se pavarësisht nga mungesa e kontributit pozitiv nga ana e PS-së, janë plotësuar pothuajse të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave. "Unë nuk e kam humbur besimin se do të ketë reflektim e që edhe ata do t'i përgjigjen aspiratës për integrim europian, që kanë të gjithë anëtarët dhe simpatizant e opozitës sot", përfundoi Meta./n.m/
KOMENTE