Olldashi: Maxhoranca Kërkon Të Realizojë Reformën Në Sistemin Gjyqësor
TIRANE, 24 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi i bëri thirrje opozitës të japë konsensusin e saj për të kryer reformën në sistemin gjyqësor. "Kjo maxhorancë po kërkon prej kohësh të bëjë reformën në sistemin gjyqësor, por është opozita ajo që nuk e jep konsensusin", deklaroi ministri Olldashi.
Sipas Olldashit, nuk mund të kemi një shtet demokratik, me institucione dhe administratë që i përgjigjet standardeve të Bashkimit Europian, nëse sistemi gjyqësor është ende larg parametrave të BE-së. "Opozita po kërkon ta përdorë për politikë çështjen e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit", u shpreh ministri Olldashi, ndërsa shtoi se "zgjidhja është arritja e një konsensusi për t'i dhënë qytetarëve një sistem gjyqësor me kuadër ligjor të dhënë nga ne, por që vetëkontrollohet". "Në momentin që ne të japim votën duhet të kemi edhe detyrim ndaj qytetarëve të sqarojmë votën tonë", tha Olldashi./s.s./