English

Operacioni “Teknotronik”, sekuestrohen 57 telefona celularë kontrabandë

Elbasan, 24 Qershor, NOA – Plot 57 telefona celularë kontrabandë të sekuestruar, ka qenë bilanci i një operacioni të organizuar nga forcat e policisë së Elbasanit, të koduar me emrin “Teknotronik”.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se kjo sasi malli kontrabandë është kapur përkatësisht në dyqanet e celularëve, të cilët ndodhen në qytetin e Elbasanit, në pronësi të 44-vjeçarit Haxhi Tirana dhe 36-vjeçares Anila Nushi’ që të dy banorë të tij.

Mësohet ndër të tjera se operacioni u finalizua rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, pas marrjes së një informacioni se në këto dyqane disponoheshin telefona celularë kontrabandë.

Gjate kontrollit të ushtruar nga ana e forcave policore, tek dyqanet e lartpërmendura, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 57 telefona celularë të llojeve të ndryshme si Nokia, Samsung, LG, Vodafone etj, për të cilat nuk disponohej asnjë lloj dokumentacioni.

Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanti për veprime të mëtejshme për veprën penale “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, e cila parashikohet nga neni 178 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE