English

PDU, Idrizi: Kërkojmë zgjidhje të menjëhershme, gati ndjekja ligjore e çështjes çame

Tiranë, 24 qershor, NOA – Vetëm pak ditë përpara 66 vjetorit të deportimit me forcë të çamëve nga trojet e tyre, më 27 qershorin e 1944-ën, Partia Drejtësi dhe Unitet kërkoi sot nga Kuvendi i Shqipërisë që të reagojë mbi çështjen çame në kuadër të Javës Kulturore të Çamërisë, duke garantuar se PDU është shumë afër gjetjes së një zgjidhjeje ligjore për këtë çështje ende të pambyllur.

"Ne po grumbullojmë materiale për të ndjekur ligjërisht, padrejtësinë që është kryer mbi popullsinë tonë. Ne po asistohemi nga një studio mjaft prestigjioze britanike, e specializuar për krimet e luftës dhe shumë shpejt do të shihet se çdo arrijme të bëjmë, pasi ne kërkojmë që pala greke të kërkojë falje për këtë krim të shëmtuar dhe kërkojmë që ajo t'i kthejë pronat atyre që i takojnë”, deklaroi në kuvend deputeti dhe kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi.

PDU kërkon po ashtu nga shteti grek që nderohen viktimat e pafajshme, që dhanë jetën vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë.

Madje Idrizi kërkoi që të ngrihet një lapidar, një memorial në qendrat e qyteteve ku ata u larguan me forcë, me përdhunë.

Pasi kërkoi një minutë heshtje për çamët e deportuar me forcë dhe pë rata që humbën jetën në mënyrë të dhunshme, kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, bëri thirrje që të mos harrohet çështja çame.

Idrizi, duke mos e quajtur thjesht një ritual të përvitshëm kujtimin e tyre me një minutë heshtje, tha se “Partia për Drejtësi dhe Unitet, kërkon drejtësi për një pjesë të popullit dhe kombit shqiptar, si popullsia çame, një popullsi që ka një histori të ndritshme rezistence, lufte ndaj pushtuesit, që i ka dhënë kombit të vet, pasuri kulturore, muzikore, folklorike të paçmuara. Me organizimin e një jave të Çamërisë, pikërisht në 66 vjetorin e masakrës mbi popullsinë çame, ne duam t'i kujtojmë të gjithëve se ne jemi këtu, se mesazhi i mbijetesës ka kaluar brez pas brezi, me tregimet e gjyshërve, me këngët dhe vallet e tyre të mrekullueshme, që edhe ato duan të na i përvetësojnë”, shtoi Idrizi.

Kreu i PDU-së, Idrizi, iu referua rastit çek, ku u kërkua falje ndaj gjermanëve të dëbuar dhe kërkoi që diçka e tillë të ndodhë edhe për shqiptarët e Çamërisë, nga vetë grekët, që tashmë janë edhe anëtar i BE-së.

"Po ndaj popullsisë çame kur do të ndodhë një gjë e tillë? Nuk besoj se do ndodhë, nëse ne, si shoqëri, si parlament, si institucione, do të na zerë amnezia, do të na mbajnë të mbërthyer komplekset e inferioritetit. Ne nuk duhet të harrojmë se jemi njëri nga kombet më të rëndësishme të Ballkanit dhe se koha përkundrazi punon për shqiptarët”, u shpreh Idrizi, i cili nënvizoi se “shqiptarët kanë, duam apo s'duam t’a themi, dy shtete; shqiptarët janë vend anëtar i NATO-s, dhe çamët kanë një parti të ligjshme parlamentare që ka kontribuar në të gjithë ligjet e integrimit të vendit, por kjo s'do të thotë se ne do të harrojmë misionin tone”, përfundoi fjalën e tij deputeti Shpëtim Idrizi.

mit/NOA
KOMENTE