English

Profil-Biznes/ Vajza Që E Ndërtoi Të Ardhmen Me Art

FIER, 24 qeshor /ATSH-Rr.Isufaj/ - Në një nga lagjet e Athinës, vetëm pak metra larg detit, Afërdita Lushi, 29 vjeç ka hapur një dyqan të bukur dhe tregton prodhime artizanale të prodhuara prej saj. E lindur në fshatin Frashër, 11 km larg Fierit, Afërdita Lushi, nënë e dy vajzave binjake prej disa vitesh jeton e punon në Greqi ku familja bën një jetë të thjeshtë, burimi kryesor i të ardhurave të së cilës janë tregtimi i veprave artistike të prodhuara në mënyrë artizanale nga Afërdita. "Ndihemi mirë dhe të ardhurat që sigurojmë janë të bollshme. Por nuk është thjesht ekonomia ajo që na bën të kënaqur. Leku është diçka, por jo gjthshka," thotë Afërdita. "Ajo që më lumturon më shumë është kënaqësia që më jep prodhimi artizanal i punimeve të ndryshme artistike, dhe mbi të gjitha, pëlqimi dhe interesi i klientelës greke dhe shumë turistëve të huaj për to si vepra artistike, që kanë bazën tek tradita artizanale," shton Afërdita. Rreth 13 vjet më parë, prindërit e saj banonin në një shtëpi që më drejtë do të ishte t'a quaje një "kasolle", por më shumë ata shqetësoheshin për fatin e dy vajzave, Afërditës dhe Lulit, se sa për varfërinë që i kishte pllakosur, se ishte koha kur prostitucioni dhe rrjeti i trafikimit të femrave kërcënonin të ardhmen e shumë vajzave të reja. Prindërit e regjistruan Afërditën në atelienë artizanale artistike "Shën Mërtiri", pranë Kishës Katolike, Fier. Kjo qendër me mision edukativ dhe ekonomik shumë shpejt ndryshoi jo vetëm jetën e Afërditës, por dhe të krejt familjes së saj. "Afërdita qysh në ditët e para prezantoi fantazinë dhe pasionin e saj. Aq e heshtur sa ishte në të folur, aq e zellshme ishte në shkathtësinë e saj për të bërë statuja të ndryshme prej argjile", kujton përgjegjësja motër Grazia. "Brenda një kohe të shkurtër, ajo mësoi në mënyrë autodidakte të krijojë statuja me fantazi dhe imagjinatë artisti dhe pasi solla një furrë për pjekjen e argjilës, shumë shpejt vazot me lule, çiftet e dashuruar, tufat e trëndafilave, kafshët dhe shumë motive të tjera të punuara në argjil nga Afërdita u bënë një mall i kërkuar në tregun italian. Pasi shitëm në Itali kontigjentin e parë të prodhimeve artizanale dhe morëm shumë kërkesa të tjera, i dhamë asaj 1 milionë lekë, me të cilat Afërdita nisi themelet dhe bleu materialet e ndërtimit për shtëpinë e re. Më pas ajo solli dhe motrën tjetër ndërkohë që babain e saj e punësuam si roje pranë kishës," tregon motër Grazia. Afërdita punoi për rreth 8 vjet pranë ateliesë artizanale artistike "Shën Martini", deri sa u martua dhe shkoi në Greqi. Me të ardhurat e punës së saj, prindërit e Afërditës ndërtuan një shtëpi të bukur dhe komode. "Ruaj korrespondencë të rregullt me Afërditën si një nga kujtimet më të bukura me vajzat shqiptare që u punësuan pranë qendrës sonë. Ato jo vetëm që ruajtën vlerat morale dhe nuk u bënë pjesë e trafikimit, por fati u buzëqeshi dhe sot tregojnë vlerat më të mira dhe trashëgimëninë e pasur kulturore, aftësinë artizanale dhe shpirtin artistik të këtij populli që për disa dhjetvjeçarë ishte izoluar, ndërsa varfëria e kishte mpirë krejt," tha motër Grazia./ch/
KOMENTE