English

Profil/ Elbasan: Hajdar Blloshmi Nderohet Me Titullin "Qytetar Nderi"

ELBASAN, 24 Qershor/ ATSH, Miranda Sadiku/- Hajdar Blloshmi, personalitet me kontribute të njohura në pavarësinë dhe themelimin e shtetit dhe arsimit shqiptar, u nderua sot me titullin "Qytetar Nderi" (pas vdekjes) i Qarkut të Elbasanit në një ceremoni modeste në prani të familjarëve. Titulli "Qytetar Nderi i Qarkut të Elbasanit" ( pas vdekjes), që ju dha familjarëve të Hajdar Blloshmit nga kryetari i Këshillit të Qarkut Blendi Himçi shoqërohet me motivacionin për "Kontribut të shquar në pavarësinë dhe themelimin e Shtetit Shqiptar, si dhe për kontribut të shquar në themelimin e Arsimit Kombëtar Shqiptar". - Veprimtaria dhe jeta e Hajdar Blloshmit - Hajdar Blloshmi lindi në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit në vitin 1860. Pas mësimeve të para në qytetin e Ohrit në Maqedoni, ai vijoi studimet e larta në kryeqytetin e Perandorisë Osmane në Stamboll. "Duke qenë se ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja si turqisht, persisht, greqisht dhe frengjisht, autoritetet e atëherëshme e emëruan sekretar në Ministrinë e Drejtësisë", tregon nipi i tij, Bedri Blloshmi. Sipas tij " ai cilësohet si një nga tetë Normalistët e parë të Elbasanit ku jepte gjuhën frënge, por dhe kontributin e vet edhe në çështjen shqiptare". Me frymën e atdhetarisë, Hajdar Blloshmi u aktivizua në luftërat kundër forcave pushtuese greke, që vepronin nën maskën e "luftëtarëve vorio-epirote" dhe në vitin 1924 rradhitet në anën e forcave që ishin kundër rebelimit të qershorit. "Qeveria e dalë nga ky grusht shteti e dënoi në mungesë Hajdarin bashkë me djalin e tij, Selahundin, dënim i nënshkruar nga vetë Zv/ministri i Punëve të Brendshme Haki Tefiku", tregon Bedriu, që shton se në këtë listë ishin dënuar 142 persona, mes të cilëve, edhe Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Abdurrahman Dibra, Kasem Sejdini, Jovan Dimitresku" etj. Në dhjetor 1924 kur Legaliteti triumfoi në Shqipëri, Hajdar Blloshmi u kthye në atdhe dhe dy vjet më pas, do të zëvëndësonte djalin e tij Selahudinin në Dhomën e Deputetëve, pasi ky i fundit kishte dhënë dorëheqje për shkak të emërimit në një detyrë tjetër. Në vitin 1928, Hajdar Blloshmi zgjidhet anëtar i Asamblesë Konstituente, e cila, pas vendimit të 1 shtatorit 1928, (që ktheu Shqipërinë në monarki), u kthye në parlament, ku qëndroi si deputet deri në vitin 1932, për tu kthyer në vendlindjen e tij në Bërzeshtë ku dhe vdiq në vitin 1936. I nipi i tij, Bedri Blloshmi tregon se gjatë regjimit komunist, varri i Hajdar Blloshmit u cënua, ndërsa djemtë e tij Shefqeti dhe Hakiu u pushkatuan pabesisht nga forcat komuniste në Dunicë të Mokrës në vitin 1944, ndërsa mbesa, Myzejeni kujton vitet e komunizmit kur familja Blloshmi ju nështrua një vale të gjatë persekutimi. "As varret nuk i lanë rehat, gjithçka të familjes Blloshmi, e rrënuan" thotë ajo. Mbas ardhjes së demokracisë, figura e Hajdar Blloshmit si e shumë patriotëve të tjerë të persekutuar nga regjimi komunist, u ngritën në piedestal, në vendin ku meritonin të ishin./n.m/
KOMENTE