Shba - Kongresi Mund Të Miratojë Sot Sanksione Kundër Iranit
Dhomat e Kongresit amerikan mund të miratojnë sot sanksione kundër Iranit për programin e tij bërthamor, dy javë pas miratimit të sanksioneve të reja në OKB.
Dhoma e Ulët ka parashikuar një votim pasdite dhe Senati ka hapur debate sot dhe mund ta miratojë dokumentin deri në fund të ditës, njoftojnë burime që përputhen në Kongres.
Projektligji forcon një legjislacion që është tashmë në fuqi duke i shtuar atij një gamë të re sanksionesh ekonomike në përpjekje për ta bindur Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Dokumenti synon veçanërisht pengimin e furnizimit me benzinë të Republikës islamike, që, edhe pse është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të arit të zi, e importon 40 për qind të
naftës së saj, për shkak të mungesës së rafinimit të mjaftueshëm. Ai do të prekë kompani ose filialet e tyre që bëjnë biznes me Iranin duke e furnizuar atë me produkte të naftës së rafinuar ose duke e ndihmuar Iranin të pajiset me kapacitete rafinimi.
Ai synon gjithashtu institucionet financiare ndërkombëtare që mendohet të kenë lidhje me Gardianët e Revolucionit iranian.
Mundësitë e sanksioneve kundër ndërmarrjeve të huaja që kanë më tepër se 20 milionë dollarë investime në sektorin e energjisë në Iran do të rriten me këtë dokument.
Dokumenti do të vendosë gjithashtu detyrime për personat e lidhur me shkelje të të drejtave të njeriut në Iran dhe të cilët do të dëshironin të udhëtonin.
Senati e ka miratuar versionin e tij të projektligjit të sanksioneve në janar dhe Dhoma e Ulët në dhjetor. Dokumenti i përbashkët pritet të miratohet në secilën nga të dy dhomat përpara se të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për t'u dekretuar nga presidenti Barack Obama.
/I.Pu.