Shkodër, Piktori I Madh Shkodran, Lin Delija, Përkujtohet Në Vendlindje
tori i madh shkodran, Lin Delija, karriera artistike e të cilit ka qënë shumë e suksesshme, sidomos jashtë vendit, është përkujtuar sot në qytetin e tij të lindjes, me një aktivitet kushtuar jetës dhe vepres së tij, organizuar në mjediset e lokalit "Tradita".
Diskutimet dhe opinionet e shprehura gjatë takimit për piktorin shkodran u shoqëruan me një dokumentar mbi jeten dhe aktivitetin e Delisë në emigracion, realizuar nga shoqata kulturore "Dukagjini", organizatore e këtij aktiviteti, me regji të poetit Lazër Kodra.
Me shumë interes për të pranishmit ishin kujtimet e sjella nga dy bashkëmoshatarë të piktorit Lin Delija, këngëtari i mirënjohur Bik Ndoja dhe piktori veteran Ndoc Gurashi.
"Shpërthimin e parë, Lini e ka pasur në gjimnazin françeskan të Shkodrës, duke pasur për mësues Padër Gjergj Fishtën", tha Gurashi. Duke kujtuar ato vite, Ndoci thotë se në një konkurs të organizuar nga Padër Leon Kabashit, më i miri u vlerësuar Lin Delija, që paraqiti një punim kryevepër. "Interesante ishte fakti që në këtë listë të më të mirëve, menjëherë pas Delisë, u renditën Tonin Harapi dhe Tish Daija, që më vonë u bënë dy nga muzikantët më të mirë të Shqipërisë", thotë piktori veteran. Duke përfunduar, Gurashi, tha se "edhe pse sot nuk jeton, Lin Delija, me vepren e madhe që ka lënë pas, mbetet një nga emrat më të dashur të artit të pikturës".
Piktori shkodran Lin Delija, i cili ndërroi jetë në Romë në vitin 1994, është një një nga figurat më të vlerësuara të artit të pikturës në Itali, ku krahas shumë titujve, në nderim të vlerave që ai mbart në vetvete, në qytetin ku ai ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, Antrodoko, në provincën e Rietit, gjendet një muze që mban emrin emrin e tij, me mbi 100 piktura të punuara nga duart e tij të arta.
Pak ditë më parë, piktori shkodran Lin Delija u vlerësua edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me titullin "Nderi i Kombit"./s.s./