English

Shqipëria Dhe Turqia Angazhohen Për Thellimin E Bashkëpunimit Ushtarak

-Ministri Imami pret K/admiralin turk Ismail Taylan - TIRANË, 23 Qershor/ATSH/.- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Kundëradmirali Ismail Taylan, komandanti i Grupit të Anijeve të Forcave Detare të Turqisë, konfirmuan sot angazhimin dypalësh për thellimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake, ndërkohë që pesë fregata turke po zhvillojnë një vizitë portuale në portet e Durrësit dhe Vlorës. Ministri Imami në takim me ushtarakun e lartë të FA turk, vlerësoi ndihmën që Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së të Turqisë kanë dhënë për edukimin, arsimimin dhe trajnimin e një numri të madh oficerësh shqiptarë në shkollat dhe akademitë ushtarake turke. Gjithashtu vlerësimi i Imamit shkoi edhe për bashkëpunimin e forcave tona në Afganistan, ku së shpejti do të niset edhe një togë mjekësore që do të veprojë brenda komandës turke. K/admirali Taylan, duke vlerësuar vizitën në ujërat e vendit tonë të anijeve që drejton si shembull të mirë bashkëpunimi të të dy vendeve të së njëjtës familje dha mbështetjen e Turqisë për vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy ushtrive tona. Taylan i bëri ministrit Imami një ekspoze të task-forcës detare që kryeson. Nga fillimi i kësaj jave pesë fregata të flotës ushtarake turke po zhvillojnë një vizitë miqësore portuale në portet e Vlorës dhe Durrësit./a.s//n.m/
KOMENTE