English

Sport-Botëror/ Grupi F, Italia Vetëm Fitore Ndaj Sllovakisë

- Italia kalon në se fiton me Sllovakinë, barazon me Sllovakinë dhe Zelanda e Re humbet me Paraguain -. TIRANË, 24 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kampionia e Botës në fuqi do të ndeshet me Sllovakinë dhe në prag të këtij takimi, lojtarët italianë kanë pohuar se ndihen të shqetësuar për progresin. Fitorja e kësaj ndeshje do ta bënte të sigurtë kualifikimin e Italisë, por edhe barazimi do të ishte pozitiv, nëse Paraguaji fiton me Zelandën e Re. "Jemi të shqetësuar. Nëse nuk arrijmë kualifikimin do të ishte një dështim i vërtetë", u shpreh mesfushori Daniele De Rossi. Ndërkohë, Sllovakia nuk ka shumë mundësi për të avancuar në fazën tjetër. Ekipi i Vladimir Veiss ndodhet i fundit në Grupin F me 1 pikë dhe vetëm fitorja me Italinë mund ta rifuste në garë. Paraguaji shkon me moralin lartë në sfidën me Zelandën e Re. Përfundimi i ndeshjes me barazim, pra marrja e 1 pike, do ta çonte ekipin nga Amerika e Jugut direkt në fazën e dytë. Paraguaji do të kualifikohej, edhe nëse takimi tjetër, Sllovaki-Itali, përfundon me rezultat të barabartë. Por, ekipit të Paraguajit i intereson fitorja dhe kryesimi i Grupit F, për të shmangur takimin me Holandën në fazën tjetër. Zelanda e Re e nisi botërorin me një barazim me Sllovakinë dhe më pas një tjetër barazim me Italinë. Këtij ekipi vetëm një mrekulli do t'i bënte punë për të shmangur eliminimin. Më e pakta, Zelandën e Re do ta ndihmonte barazimi me Paraguajin dhe njëkohësisht Italia dhe Sllovakia të barazonin, por duhet të ketë më shumë gola të shënuar se "të kaltërit". /a.ke/
KOMENTE