English

Tahiri-Idrizi, konfliktohen me Dulen për çamët

Tiranë, 24 Qershor, NOA – Replikat mes deputetëve të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri e Shpëtim Idrizi nga njëra anë dhe kreut të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kanë përfshirë seancën e sotme plenare.

Të përfshirë në debat për çështjen çame, palët janë konfliktuar deri në pikën sa Tahiri gjatë fjalës së tij, e ka cilësuar Dulen si “njeriun e Zervas”, personazhi që njihet në histori si gjenerali grek që udhëhoqi operacionin e dëbimit të popullatës çame nga trojet e saj.

Pasi kanë publikuar Javën e Çamërisë gjatë fjalimeve të tyre në Kuvend, deputetët Idrizi dhe Tahiri kanë kërkuar që të mbahet edhe një minutë heshtje, në përkujtim të viktimave çame që sipas tyre meritojnë të përkujtohen për shkak të tragjedisë së pësuar nga gjenocidi i ushtruar prej grekëve ndaj tyre.

Në fjalën e tij, Idrizi ai tha se kërkon drejtësi për krimet ndaj çamëve dhe njëherësh kthimin e pronave nga pala greke.

“Ne kërkojmë edhe ngritjen e një lapidari dhe që Parlamenti të respektojë historinë”, theksoi ai.

Por Dule duket se nuk ka qenë dakord për një gjë të tillë, duke nxitur reagimin kundërshtues ndaj tij prej deputetit Tahiri dhe Idrizi.

Lidhur me këtë, Duke ka kërkuar marrjen e masave nga Kryesia e Kuvendit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Po t’i kishte ndodhur ndonjë deputeti tjetër ky kërcënim, kryetarja e Kuvendit do reagonte sipas pikave të rregullores, por kjo nuk po ndodh”, tha ai.

Duke shtuar se qeveria nuk po i mbron aspak të drejtat e minoriteteve, ashtu sikundër shprehet.

“Para një muaji në Gjirokastër dhe Dropull, një numër jo i vogël biznesesh bënë një protestë të vogël dhe simbolike për gjobat pa argumenta, që janë tendencioze dhe të tërë thonë se janë të detyruar të paguajnë haraçin”, vuri ai në dukje.

n.e/NOA

KOMENTE