English

Terrorizëm - Turqi: 19 Persona Akuzohen Për Dy Sulmet E Javëve Të Fundit

ANKARA, 24 qershor /ATSH-ANSA/ - Nëntëmbëdhjetë persona dolën sot para një gjykate në Stamboll sepse akuzohen për përfshirje në dy atentate të përgjakshme të disa ditëve më parë në metropolin turk, më i rëndi nga të cilët shkaktoi pesë të vdekur, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolli. Tre prej të akuzuarve u arrestuan më 20 qershor, pas atentatit të 8-të qershorit që kishte në shënjestër një autobus me të cilin po udhëtonin agjentë policie. Nga sulmi mbetën të plagosur 15 policë. Ndërsa të martën, katër ushtarë dhe vajza e re e një ushtaraku mbetën të vrarë kur autobusi me të cilin po udhëtonin u shkatërrua nga shpërthimi i një bombe të aktivizuar në distancë. Përgjegjësinë e të dy atentateve e morën separatistët kurdë të "Tak" (Fajkonjtë për lirinë e Kurdistanit), një grup relativisht i vogël që ka lidhje me PKK-në (Partia e punëtorëve të Kurdistanit), organizata më e madhe kurde e cila që prej vitit 1984 kërkon ngritjen e një shteti të pavarur në Turqinë juglindore. /e.v/
KOMENTE