Xhirimet Promocionale "Eagle Mobile" & James Belushi Zhvendosen Në Stamboll
TIRANE 24 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Bashkëpunimi mes kompanisë celulare Eagle Mobile dhe aktorit hollivudian, me origjinë shqiptare, James Belushi po vijon me një fazë të mëtejshme, pasi xhirimet për fushatat promocionale vazhdojnë në Stamboll, (Turqi).
Sipas burimeve zyrtare të Eagle Mobile, duke ju përgjigjur interesimit të mediave turke, të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë vizitës për xhirime në Stamboll të aktorit të njohur, James Belushi dha një konferencë për shtyp në Stamboll bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë celulare, Ali Taskin dhe drejtorin e Marketingut, Orkunt Yozgat.
Belushi u shpreh i vendosur që të bëjë ç'është e mundur për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa do të ndihmojë në promovimin dhe njohjen sa më të mirë të Shqipërisë në botë. "Ndihem mjaft i kënaqur me investimet e Eagle Mobile në Shqipëri, pasi një kontribut i tillë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjen e standardit të jetesës", tha Belushi.
Ai u shpreh se puna me Eagle Mobile i ka dhuruar emocion të veçantë, ndërsa falënderoi kompaninë që i ka mundësuar një udhëtim të paharrueshëm në Stamboll bashkë me familjen. Belushi bëri të ditur se bashkëpunimi me Eagle Mobile do të jetë një marrëdhënie afatgjatë dhe shtoi se do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të punës së kompanisë.
"Është një kompani e mrekullueshme, me produkte te mrekullueshme dhe një rrjet sinjali të mrekullueshëm. Kur erdha në Shqipëri, më dhanë një celular dhe nga kudo që shkoja, madje edhe në majë të maleve, telefoni punonte mjaft mirë. Kjo është një kompani e madhe dhe unë jam krenar që jam pjesë e saj," tha ai.
Për xhirimet promocionale në Turqi, James Belushi ka hedhur idenë edhe për një film, duke u shprehur se "një skenar i mirë, një regjisor i mirë, atëherë pse të mos xhirojmë një film të mirë?".
Në konferencën për shtyp Belushi bëri të njohur për mediat turke vajtje-ardhjet në Shqipëri që nga viti 1995.
"Babai im ka lindur dhe është rritur në një vend të vogël jashtë Korçës. Unë kam ardhur në Shqipëri në 1995, me babin, djalin dhe gruan, shëtitëm çdo vend të Shqipërisë, u takova me presidentin dhe shumë zyrtarë të tjerë. Që atëherë pata vendosur që për Shqipërinë të bëj gjithçka që mundja për të kontribuuar në zhvillimin e saj. Shqipëria është vend shumë i bukur dhe e dua atë bashkë me zonat e saj rurale. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë. Unë kam shumë të afërm në Shqipëri. Shkoj atje të paktën një herë në vit dhe e ndjej që kam një lidhje mes vetes dhe Shqipërisë.''
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, duke folur për investimet e mëdha që janë bërë për mbarëvajtjen e shërbimeve të kompaninë, theksoi se një pjesë e suksesit të kësaj kompanie është arritur së bashku me aktorin e mirënjohur, James Belushi.
"Objektivi i Eagle Mobile është rritja e mëtejshme duke përshkuar Ballkanin dhe Kosova është synimi ynë i parë. Ne duam të jemi atje dhe po ndjekim me kujdes procesin e privatizimit të operatorit shtetëror të Kosovës, që pavarësisht se janë dy shtete të ndryshme me Shqpërinë, janë një komb shqiptar dhe perceptimi ynë është i saktë", tha Taskin.
Drejtori i Grupit të Marketingun në Eagle Mobile dhe zv/drejtori i Përgjithshëm, Yozgat Orkunt tha para mediave turke se emri i kompanisë "Eagle Mobile" vjen nga simboli i shqiptarëve, "shqiponja", që është dhe pjesë e flamurit shqiptar. Ai theksoi se "figura e James Belushit për shqiptarët është shumë e dashur, e rëndësishme, e njohur dhe domethënëse"./n.m/