English

Arkiv - Analizë - Michael Jackson Fenomeni Muzikor I Kthyer Në Mbret Të Popit Falë Albumit "Thriller"

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ - Michael Jackson, i cili vdiq më 25 qershor 2009, në moshën 50-vjeçare, ka qenë një nga yjet më të mëdhenj të historisë së muzikës krah ''Beatles'' apo Elvis Presley-t dhe para së gjithash në sajë të "Thriller"-it, albumit më të shitur të të gjitha kohërave. Amerikani shënjoi muzikën moderne me zërin e tij të regjistrit të lartë dhe talentin e pashembullt si kërcimtar duke rikthyer në vitet '80 pishtarin e yjeve me ngjyrë të viteve '60-'70. Sipas shifrave të përmendura në SHBA, ai ka shitur një total prej 750 milionë disqesh, një rekord ky për një këngëtar solo. Pas daljes së "Thriller"-it në dhjetor 1982, Jackson, 24 vjeç në atë kohë, mund të konsiderohej tashmë një yll; ai debutoi për herë të parë në moshën pesë vjeç me grupin funk ''Jackson 5'' përkrah vëllezërve të tij, nën drejtimin e rreptë të babait të tyre, Joe Jackson. Por është ky disk, i gjashti i tij solo, që e ngriti në një tjetër dimension. "Thriller" është albumi i superlativave. Shifrat e shitjes së tij janë objekt polemikash, meqenëse nuk ekziston një përllogaritje zyrtare në rang botëror. Firma ''Epic'' (Sony Music) ka kohë që përmend një numër të përgjithshëm prej 104 milionë albumesh. Por një numër specialistësh i vlerësojnë këto shifra si të ekzagjeruara dhe flasin për 50-60 milionë të tillë. I rinxjerrë vitin e shkuar me rastin e 25-vjetorit të tij, "Thriller" do të mbetet pa dyshim albumi më i shitur i të gjitha kohërave. Kriza që ka prekur industrinë e disqeve në tërësi duket se e përjashton arritjen sërish të kulmeve të tilla. Ai qëndroi për 80 javë në 10-shen më të mirë në SHBA, 37 ndër të cilat në vendin e parë, Njëzet e shtatë herë disk platini (27 milionë kopje) në SHBA, ai është albumi i vetëm që ka realizuar shitjet më të mira për dy vjet rresht (1983 dhe 1984). Ai ka qenë disk platini dhe diamanti në 16 vende, ndër të cilat edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Francë apo Japoni. Nga nëntë këngët e tij, shtatë kanë dalë single. Në një nga këto këngë, "Billie Jean", ky kërcimtar i supertalentuar kishte bërë hapin e tij të famshëm me rrëshqitje ose "moonwalk", në maj 1983 gjatë një emisioni televiziv për 25-vjetorin e ''Motown''. Kjo markë mitike muzikore e këngëtarëve me ngjyrë i hodhi në treg ''Jackson 5'' në maj 1968, me Diana Ross si kujdestare të tyre. "Thriller", që e vuri muzikën e zezë në plan të parë ishte albumi i dytë i Jacksonit i realizuar me producentin Quincy Jones pas "Off the wall" (1979), një gur tjetër kilometrik i karrierës së tij. Në një përzierje të muzikës soul, disco-funk dhe pop, "Thriller" shfrytëzoi pjesëmarrjen e emrave të mëdhenj si Paul McCartney (në "The girl is mine") apo kitaristit Eddie Van Halen (tek "Beat it"). Kënga e hapjes, "Wanna Be Starting Something", shfrytëzoi temën e "Soul Makossa" e Manu Dibango (1972), çka e bëri saksofonistin kamerunas të hapte një procedurë kundër këngëtarit amerikan. Suksesi i albumit shpjegohet gjithashtu edhe nga faktorë të ndryshëm shoqërorë. Dalja e tij përkoi me apogjeun e kasetave, që filluan të zëvendësoheshin pak nga pak nga CD-të dhe korrespondoi me ngritjen e kanalit muzikor MTV. Kjo e fundit kontribuoi për ta bërë Jacksonin "Mbretin e pop-it" ndërsa klipet novatore të këtij të fundit e forcuan famën e kanalit. Filmi me metrazh të shkurtër i realizuar nga John Landis për këngën "Thriller" e revolucionarizoi historinë e klipit dhe impresionoi miliona fëmijë me valltarët e tij zombi. Pas "Thriller", Jackson do të njihte një rënie artistike progresive, ndërsa albumet që pasuan "Bad" (1987), "Dangerous" (1991) dhe "Invincible" (2001) ngjallën gjithmonë e më pak interes kritik. E veçanërisht imazhi i tij prej artisti gjenial ia la vendin atij të ekscentrikut të shqetësuar për arsye të ndryshimeve të pamjes fizike dhe padisë për ngacime seksuale ndaj të miturve, që u ngrit kundër tij./ /m.k/
KOMENTE