Austri - Monedha Më E Madhe E Arit Në Botë Vlen 3,27 Milionë Euro
VJENË, 25 qershor /ATSH-AFP/ - Monedha më e madhe e arit në botë, një monedhë kanadeze me diametër 53 centimetra dhe që peshon jo më pak se 100 kilogramë, u shit sot në ankand për 3,27 milionë euro, bëri të ditur salla e shitjeve në Vjenë "Dorotheum" në një komunikatë.
Kjo monedhë tepër e madhe që ishte përfshirë në librin e rekordeve Guiness, u ble nga shoqëria spanjolle "Oro Direct", e specializuar në shitjen e metaleve të çmuara.
Çmimi i saj i shitjes u orientua nga vlera e peshës së saj (3,2 milionë euro), shumë më i lartë nga vlera e saj e ligjshme prej një milion dollarë kanadezë (0,8 milionë euro).
E prodhuar në vitin 2007, nga njëra anë ajo ka të stampuar portretin e mbretëreshës së Anglisë Elizabeth II, ende zyrtarisht kryetare e shtetit të kësaj ish-kolonie britanike dhe në anën tjetër me tri gjethe panje, emblema kombëtare e Kanadasë.
/I.Pu.