Bashkia E Tiranës Prezanton Adresarin E Ri Të Kryeqytetit
TIRANA, 25 Qershor/ ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama prezantoi sot adresarin ri të kryeqytetit në bazë të të cilit, do të vendosen tabela me numrin e rrugëve, apartamentit apo njësisë përkatëse, ndërsa sistemi i adresave do të jetë mjaft i thjeshtë për t'u përdorur nga qytetarët.
Duke vlerësuar projektin për adresarin e ri si mjaft të rëndësishëm, Rama bëri të ditur se "ky projekt është bërë falë një bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe një grup njerëzish, duke emëruar çdo rrugë bazuar mbi kriterin historik dhe duke ruajtur traditat".
Sipas Ramës, "Sistemi është i thjeshtë dhe interaktiv. Në përfundim të këtij procesi, që do të jetë viti 2011, adresari do të jetë në dispozicion të çdo qytetari, i cili vetëm nëpërmjet emrit, mund të gjejë adresën e çdo personi në Tiranë".
Kryebashkiaku Rama i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të bashkëpunojnë në këtë proces duke plotësuar formularin e vendbanimit, pasi kontributi i gjithsecilit është edhe suksesi i procesit./n.m/