English

Be - Presidenca Belge Nuk Do Ta Rihapë Debatin Për Traktatin E Lisbonës

- Leterme: Do të jemi partizanët e integrimit evropian - BRUKSEL, 25 qershor /ATSH-ANSA/ - Nuk do të ketë hapësirë gjatë gjashtëmujorit të presidencës belge të BE-së për të rihapur debatin për reformën e Traktatit të Lisbonës, theksoi sot kryeministri belg Yves Leterme, duke prezantuar para shtypit ndërkombëtar programin e presidencës belge, që nga 1 korriku do të zëvendësojë atë spanjolle. "Traktati i Lisbonës ka pasur një diskutim shumë të gjatë dhe besojmë se qytetarët evropianë tashmë presin që të veprohet dhe jo të fillohet sërish me diskutime", deklaroi Leterme. Gjermania, në veçanti, është e gatshme të rihapë diskutimin për Traktatin, për të përforcuar vendosjen e sanksioneve për vendet që nuk respektojnë Paktin e stabilitetit dhe rritjes ekonomike, që parashikon edhe përjashtimin nga euro për ato vende që janë më pak të frytshme. "Presidenca jonë synon të garantojë aplikimin e Traktatit të Lisbonës", deklaroi Leterme. Kryeministri belg u shpreh i bindur se nuk do të ketë probleme gjatë drejtimit të BE-së, edhe pse me një qeveri që do të zhvillojë vetëm çështjet aktuale. "Do të jemi partizanët e integrimit evropian dhe të afrimit të komuniteteve", garantoi Leterme. /e.v/
KOMENTE