English

Bjellorusia Kërcënon Përsëri Me Pezullimin E Tranzitit Për Shkak Të Gazit Të Papaguar Nga Rusia

MINSK, 25 qershor /ATSH-AFP/ - Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Llukashenko kërcënoi sot me pezullimin e tranzitit të gazit dhe të naftës ruse drejt Evropës nëse gjigandi rus "Gazprom" nuk e shlyen të gjithë borxhin e tij brenda 48 orëve. "E paralajmëroj edhe njëherë qeverinë: mospagesa brenda 48 orëve e të gjitha shërbimeve të tranzitit të gazit nga Gazpromi do të çojë në pezullimin e të gjitha shërbimeve të transportit të hidrokarbureve për llogari të Rusisë, të naftës dhe të gazit", deklaroi Llukashenko gjatë një mbledhjeje të qeverisë. "Keni mundësinë të bini dakord, por afati që iu është dhënë është 48 orë dhe ia deklarova këtë dje kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit", bëri të ditur ai përpara ministrave të tij. Dje, gjigandi rus i gazit "Gazprom" i dha 228 milionë dollarë Minskut për borxhin që i kishte lidhur me tranzitin e gazit nëpërmjet territorit bjellorus, për të cilën qeveria e kësaj ish-republike sovjetike kishte kërcënuar se do ta bllokonte nëse nuk merrte paratë deri të enjten në orën 07:00 GMT. Megjithatë, Minsku i kërkon Moskës 260 milionë dollarë dhe jo 228 milionë dollarë, siç është parashikuar në kontratën e nënshkruar prej tyre, sipas Gazpromit, duke u shprehur se çmimi i tranzitit të gazit është rritur që prej nëntorit. /I.Pu.
KOMENTE