English

Daul: Drejtuesit Politikë Duhet Të Shohin Nga E Ardhmja Demokratike

-Presidenti Topi priti Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Jozeph Daul - TIRANE, 25 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Jozeph Daul, theksoi sot gjatë takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, që drejtuesit politikë shqiptarë të shohin nga e ardhmja demokratike e vendit. Në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Daul u takua me Presidentin Topi, me të cilin siç bëri të ditur zyra e shtypit diskutoi edhe për situatën politike në vend. "Palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës", tha Daul. Në të njëjtën kohë, ai garantoi se "procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane". Nga ana e tij, Presidenti Topi vlerësoi lart dhe njëkohësisht falenderoi zotin Daul për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të vendit tonë. Duke shprehur bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në dukje se "me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve". /s.s./
KOMENTE