"Ditari I Një Hajduti Ose Pinoku", Sot Premierë Në Tk
TIRANË, 25 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Ditari i një hajduti ose 'Pinoku", do të shfaqet premierë sot në mbrëmje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, nga regjisori Enton Kaca.
Kjo performancë është ndërthurja e 2 pjesëve, e autobiografisë se Jean Genet dhe autorit të Pinokut, Carlo Collodi. Synimi ynë është të tregojmë Pinokun ndryshe, aspak tradicional, jo atë Pinokun që kthehet tek Xhepeto, babai i tij, por atë që zbulon vetë jetën, se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, pa presionin e prindit, tha regjisori Enton Kaca.
"Jean Genet ishte një arësye për të besuar më shumë tek ky pretekst, për të ndërtuar një shfaqje, e cila realisht do të fliste për një marrëdhënie klasike në fund të fundit, apo për një koncept që e shoqëron njeriun prej mijëra vjetësh", u shpreh Kaca.
"Ditari i një hajduti ose Pinoku" do të vijë në skenën e TK në datat 25, 26, 27 qershor, nën interpretimin e Dorian Ramaliut, Rael Hoxhës dhe Orjon Halilit, të cilët janë të tre pinokë, por të vendosur në situata të ndryshme sipas këndveshtirmit të regjisorit Enton Kaca./s.s./