English

Dol, presidentit Topi: Liberalizimi i vizave për shqiptarët nuk do të ndalet

Tiranë, 25 qershor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol.

Kryetari i Grupit të PPE-ve, Zhozef Dol, nënvizoi në takimin me presidentitn se “palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”.

Dol garantoi gjithashtu se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane.”

Presidenti Topi e vlerësoi kreun e PPE-ve, për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të vendit tonë.

Presidenti evidentoi me bindje se “Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve”, theksoi presidenti i Republikës, Bamir Topi.

mit/NOA
KOMENTE