English

Durrës: Guardia Di Finanza Feston 236-Vjetorin, Vazhdon Bashkëpunimi Me Policinë Kufitare Shqiptare

DURRËS, 25 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Bashkëpunimi me policinë kufitare shqiptare dhe mbështetja e saj në operacionet detare kundër trafiqeve të paligjshme u vlerësuan sot gjatë festës së organizuar në mjediset e portit detar të Durrësit në kuadër të 236-vjetorit të themelimit të Rojes Financiare (Guardia di Finanza) italiane. Gjatë ceremonisë së organizuar nga njësia e kufirit detar të Gurdia di Finanza e pranishme në Shqipëri që nga viti 1997, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, veçanërisht pas krijimit të Qendrës Institucionale Ndëroperacionale detare shqiptare pranë Durrësit. Burgaj duke bërë të ditur se që nga fillimi i vitit, janë realizuar 5 operacione të përbashkëta kundër trafiqeve të paligjshme në det, shprehu bindjen se niveli i informacionit mes policive respektive do të vijë në rritje. Përfaqësuesi i ambasadës italiane, Francesco Saverio de Luigi vlerësoi veprimtarinë e misionit të Guardia di Finanza në mbeshtetje të policisë kufitare bregdetare shqiptare. Sipas tij, lufta ndaj evazionit fiskal, që përbën një nga detyrat e Guardia di Finanza në Itali, shërben si një përvojë e mirë dhe element thelbësor i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë ceremonisë u përurua një sallë didaktike mësimi për oficerët dhe punonjësit e policisë kufitare shqiptare. Bërthama e Guardia di Finanza ka nisur veprimtarinë e saj në Shqipëri në nëntor 1997, në Durrës dhe ishullin e Sazanit. Ajo ka dhënë mbështetje të rëndësishme në bllokimin e emigracionit klandestin dhe trafiqeve të paligjshme drejt brigjeve të vendit fqinj dhe më tej. Tashmë ky mision i reduktuar në numër dhe mjete detare operon në Durrës dhe Vlorë, në bashkëpunim dhe në mbështetje të policisë kufitare bregdetare shqiptare./ch/
KOMENTE