Durrës: Planifikimi Familjar, Programi I Msh Me Mbështetjen E Usaid
DURRËS, 25 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Konferenca kombëtare "Planifikimi familjar për një Shqipëri të shëndetshme" që u zhvillua sot në Durrës mblodhi së bashku rreth 150 specialistë, përfaqësues të qeverisë dhe të organizatave ndërkombëtare, hartues dhe ofrues të politikave shëndetsore si dhe donatorë që synojnë promovimin dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit për përmirsimin e shërbimeve të planifikimit familjar.
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili tha se tashmë vendi ynë e ka kaluar fazën e njohjes së kësaj problematike të rëndësishme, e cila zë një vend të veçantë edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shëndetit riprodhues për vitet 2010-2015.
Sipas zotit Vasili, në dy dekadat e fundit ka patur një progres në planifikimin familjar dhe vetëm në periudhën 2002-2010, sipas statistikave tha ai, përdorimi i metodave moderne efektive kontraceptive është rritur me 3 përqind.
Ai vuri në dukje se programi ACCESS-PF (Akses në Planifikimin Familjar), që po realizohet me mbështetjen e Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është tregues i fillimit të një faze të re në punën e strukturave të shëndetësisë për kujdesin familjar.
"Problemet e planifikimit familjar, paketa e sigurimeve shëndetësore dhe përmirësimi i nivelit të informacionit shëndetësor mbeten sfidat që përbëjnë themelin e veprimtarisë së strukturave tona të Shëndetit Parësor dhe atyre Spitalore", nënvizoi z. Vasili, sipas të cilit nevojitet një harmonizim i mëtejshëm i veprimtarisë në këto dy fusha kryesore.
Më pas përfaqësuesi i USAID, Stephen Herbaly, vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në zbatimin e projekteve në fushën e shëndetësisë.
Specialistë të fushës së planifikimit familjar sollën përvojën e tyre dhe të studimeve përkatëse që synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në periudhën më të ndjeshme të jetës së grave, atë të shtatzanisë.
Alternativa e shërbimeve të planifikimit familjar si një alternativë ndaj abortit, është një tregues mjaft i rëndësishëm për shëndetin e popullatës.
Në Studimin Demografik Shëndetësor të botuar kohët e fundit në vendin tonë rezulton se, megjithëse 99 për qind e shqiptarëve i njohin metodat kontraceptive, vetëm 11 për qind i shfrytëzojnë ato. Të dhënat tregojnë se aborti vazhdon të jetë një mënyrë për të kontrolluar numrin e fëmijëve në familje./ch/