Ecuri Pozitive I Zbatimit Të Konventave Mjedisore Ku Shqipëria Është Palë
TIRANË, 25 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Zbatimi i konventave ndërkombëtare në fushën e mjedisit, ku Shqipëria është palë, vlerësohet në rrugën e duhur, e konkretizuar kjo nëpërmjet pasqyrimit të detyrimeve që rrjedhin prej tyre në legjislacionin shqiptar, aktet nënligjore, vendime të Këshillit të Ministrave, etj.
"Shqipëria, pas viteve '90, është bërë palë në një sërë konventash ndërkombëtare edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit, që janë marrëveshje mjedisore ndërshtetërore me mjaft vende të botës, lidhur me ndryshimet klimatike, mbrojtjen e biodiversitetit, luftën kundër shkretëtirizimit të tokave, për llojet migratore, për speciet, faunën, kimikatet, si dhe një sërë çështjesh të tjera mjedisore të përbashkëta në shkallë rajonale dhe ndërkombëtare", tha sot për ATSH-në drejtori i Biodiversitetit në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Sajmir Hoxha.
Shumica e detyrimeve që rrjedhin nga konventat janë tashmë prioritet i punës së Qeverisë shqiptare, Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, e përkthyr kjo në legjislacion, norma dhe standarde, etj. "Ne tashmë kemi një Strategji për Mbrojtjen e Mjedisit, kemi një strukturë të veçantë që punon për këtë, që është Ministria e Mjedisit dhe institucionet e varësisë, ndërsa politikat tona janë të orientuara në direktivat që japin konventat", theksoi Hoxha. Sipas tij, "çdo detyrim që rrjedhin nga konventat është pasqyruar në legjislacion, çka paraqet progres në drejtim të fushës së hartimit të legjislacionit".
Por, pavarësisht se gjykohet që zbatimi i konventave është në rrugën e duhur, ka shumë për t'u bërë në drejtim të zbatimit të politikave mjedisore dhe legjislacionit. Ndërkohë, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar pozitivisht për zbatimin sa më efektiv dhe të shpejtë të detyrimeve që rrjedhin nga keto konventa.
Sa i takon sfidave në drejtim të zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga Konventat mjedisore, Hoxha thotë se ka ende sfida, që janë prioritare për Qeverinë shqiptare. Ai i shikon këto sfida në dy drejtime kryesore; në atë të ndërtimit të kapaciteve dhe trajnimit nga pikëpamja institucionale, ku pushteti lokal ka pjesën e vet dhe duhet të marrë shumë kompetenca, si dhe në aspektin financiar.
Ndërkohë, ditët e fundit, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, u organizua një takim për të ndihmuar Qeverinë shqiptare, për zbatim efektiv të konventave mjedisore. Pjesëmarrës në të ishin specialistë nga ministritë e linjës, përgjegjëse për zbatimin e tyre. Çështjet e trajtuara ishin Konventa e Biodiversitetit, ajo e Ramsarit, që trajton çështjet e ligatinave, për të cilat MMPAU ka marrë një sërë masash, etj. Po kështu, u prezantuan çështje që lidhen me llojet dhe tregtinë e specieve të rrezikuara, ku Shqipëria është palë dhe ka detyrimet e saj, por edhe me për kimikatet, ozonin, etj. /s.s./