English

Edi Rama: Kriza politike nuk e kushtëzon liberalizimin e vizave

Tiranë, 25 Qershor, NOA - “Është e premte dhe kemi ditën e bashkëbisedimit të gjerë. Si zakonisht më lejoni të bëj një prezantim të çështjeve kryesore. Sot do të ndalem në dy çështje. Në çështjen që lidhet me projektrezolutën e adoptuar nga i Komitetit i Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian dhe me gjendjen edhe më dramatike ku ndodhet drejtësia në Shqipëri pas zhvillimit të djeshëm në Kuvendin e Shqipërisë.

Duke filluar më Projekt-rezolutën do t’ju ftoja të gjithëve që ti referoheni dokumentit dhe duke lexuar dokumentin, të ndajmë së bashku shqetësimin shumë serioz për pasqyrën që ky dokument i bën situatës në Shqipëri dhe për vijën logjike të kryeministrit të Shqipërisë, e cila është tretur në drejtim të paditur, përderisa kryeministri nuk është në gjendje ta shohë këtë pasqyrë.

Sigurisht është një moment shumë i rëndësishëm i kësaj Projekt-rezolute, momenti i mikpritjes nga ana e trupës së euro-parlamentarëve në Komitetin e Politikës së Jashtme, i propozimit për liberalizimin e vizave prej Komisionit Europian dhe apeli që komisioni të verifikojë ç’ka mbetet për t’u bërë me objektivin që këshilli dhe parlamenti paskëtaj të aprovojnë hyrjen në fuqi të liberalizmit brenda vitit 2010. Ky është një moment shumë i rëndësishëm i kësaj Projekt-rezolute dhe njëkohësisht besoj i vetmi moment në këtë Projekt-rezolutë për të cilin që të gjithë shqiptarët kanë të drejtën e Zotit të jenë të lumtur, me shpresën që më në fund liberalizmi i vizave do të bëhet realitet në jetën e tyre të përditshme , pasi është shitur si realitet tanimë prej vitesh, ndërkohë që Shqipëria ka mbetur e fundit për fajin ekskluziv të Sali Berishës dhe të qeverisë së tij.

Thënë kjo do të doja të tërhiqja vëmendjen lidhur me objektivitetin me të cilin kjo Projekt-rezolutë përshkruan Shqipërinë e sotme. Duke filluar nga nënvizimi qysh në krye të saj i domosdoshmërisë që Shqipëria si një vend që aspiron të bëhet kandidat për në bashkimin evropian, të përmbushë kriterin e Kopenhagenit. Gjë kjo e nënvizuar edhe në krye të deklaratës së përbashkët të dalë nga kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare të PE, që nënkupton garantimin e demokracisë. Vetëm një pikë më poshtë Projekt-rezoluta vajton krizën politike që pasoi zgjedhjet parlamentare dhe po ashtu vajton faktin se megjithë bisedimet më të fundit të lehtësuar nga Bashkimi Europian, përsëri kërkohet konsensus dhe konsensusi nuk është arritur lidhur me mënyrën sesi duhet të trajtojmë çështjen e hapur të zgjedhjeve të shkuara. Dhe rinënvizon se zgjidhja e kësaj krize mund të gjendet duke respektuar dy parimet e nënvizuara tanimë shumë herë: Transparencën dhe Kushtetutshmërinë.

Më tutje, një pikë më poshtë Projekt-rezoluta thotë se në rast se zgjidhja nuk gjendet dhe ndihma është e nevojshme i bëhet apel të dy palëve, qeverisë dhe opozitë, të bihen dakord për një ndërmjetësim, duke ftuar bashkarisht anëtarë prej Këshillit të Europës dhe/ose Parlamentit Europian. Më tutje Projekt-rezoluta nënvizon se zgjedhjet dështuan në qëllimin për të rritur besimin në procesin elektoral. Projekt-rezoluta shpreh keqardhjen për faktin se në takimet, apo në seancat e zhvilluara nga komisioni i ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, përpara 18 marsit, maxhoranca dhe opozita nuk e gjetën dakordësinë për propozimet që lidheshin me hetimet e zgjedhjeve përmes një komisioni hetimor parlamentar. Vazhdojmë më tutje. Më nënvizimin që bëhet edhe më akut sot, pas asaj që ndodhi dje në parlament, të domosdoshmërisë për një sistem drejtësie transparent, të paanshëm dhe efiçent. Të pavarur nga çdo presion apo kontroll politik si një themel i patjetërsueshëm për shtetin ligjor. Dhe njëkohësisht kjo Projekt-rezolutë bën apelin që ne bëjmë prej kohësh tanimë për adoptimin e një strategjie afatgjatë në këtë fushë. Shkojmë më tutje. Projekt-rezoluta e PE, për të cilën është folur dje, nënvizon se hapa të qenësishëm duhen ndërmarrë për të përmbysur situatën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke nënvizuar nevojën që të vendoset një rekord, në kuptimin jo të rekordeve sportive, por në kuptimin të dëshmive të njëpasnjëshme për hetime dhe akuza në raport me çështjet e korrupsionit në nivelin e lartë.

Më tej Projekt-rezoluta i bën apel autoriteteve t’i japin fund praktikave të politizimit të administratës publike, të rekrutimeve jo transparente dhe të praktikave të rekrutimit që u bënë aq të famshme gjatë periudhës parazgjedhore të stafeve të përkohshme, dhe të krijojnë kushtet për një shërbim civil të depolitizuar e të bazuar mbi meritën. Projekt-rezoluta nënvizon rëndësinë themelore, për një media profesionale të pavarur dhe plurale, qoftë publike, qoftë private, si themel i demokracisë.

Më tej Komiteti i Politikës së Jashtme i PE, mbetet seriozisht i shqetësuar për përhapjen e dhunës dhe trafikimin e grave dhe të fëmijëve për abuzime seksuale apo përmes punës së zezë.

Projekt-rezoluta shkon edhe më larg, nënvizon shkallën e gjerë të informalitetit ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe një treg pune tërësisht të çrregulluar, njëkohësisht vëren rritjen e borxheve të cilat janë në fakt një plagë që po hapet përditë me kosto të pallogaritshme përditë e më shumë për të nesërmen.

Vazhdon Projekt-rezoluta dhe janë mbi 40 pika dhe përjashtuar pikës që unë nënvizova qysh në krye që lidhet me inkurajimin për liberalizimin e vizave, të gjitha të tjerat janë shprehje e gjithë problematikës që sot e shqetësojnë seriozisht jetën e vendit. Procesi i regjistrimit të pronësisë inventari i tokës shtetërore dhe kompensimet e mundshme vazhdojnë të mos kenë transparencë dhe mbeten për tu kompletuar në mënyrën e drejtë.

Klima e biznesit në Shqipëri konsiderohet si një nga më të vështirat në Ballkanin Perëndimor dhe i bëhet thirrje autoriteteve të adresojnë problemet e shumta, që nga procedurat për blerjen e tokës dhe të titujve të pronësisë e deri tek implementimi i kontratave, tek administrata publike shumë e dobët dhe niveli i lartë i korrupsionit. Këto janë pikat kyçe dhe në fakt pothuajse të gjitha pikat e një projekt rezolute që është në proces drejt seancës parlamentare në PE dhe që përbën një pasqyrë dramatike për situatës në Shqipëri, sigurisht të përshkruar me gjuhën e politikës europiane që është larg së qeni gjuha e politikës shqiptare, por që e shprehur në mënyrë të tillë për një vend që synon ta flasë atë gjuhë duke e kuptuar në radhë të parë atë gjuhë është alarmante. Dhe pres të dëgjoj se ku është këtu pjesa për tu krenuar dhe për të festuar, ndërkohë që kaq shumë probleme vihen re edhe nga distanca mes Tiranës dhe Brukselit, ndërkohë që ata që jetojnë Shqipërinë e jetës së përditshme, këto probleme i kanë në kurriz dhe i kanë shumë herë më të mprehta pikërisht sepse i kanë në kurriz dhe këta janë shqiptarët që jetojnë jashtë oborrit të pushteti të Sali Berishës.

Çështja e dytë jo për nga rëndësia, por thjesht nga renditja, është çështja e plagës së hapur mbrëmë në Kuvendin e Shqipërisë me heqjen e të drejtës së fshehtësisë së votës për deputetët në emër të transparencës dhe me referencë pikërisht SHBA-në . Ato Shtete të Bashkuara ku kutitë hapen edhe nga një qytetar i thjeshtë, dhe ku bëhet rinumërim edhe nga një gazetë province qënkan bërë papritur pikë referimi për qeverinë dhe për pushtetin e Sali Berishës, që kanë vajtur e kanë kapur një gur nga i gjithë mozaiku, duke na e shitur këtu si një përparim kolosal në rrugën e transparencës. Nëse do të biem dakord ti referohemi Europës ku duam të integrohemi, vota për zgjedhje individësh është e fshehtë në parlament dhe është e drejtë e çdo deputeti fshehtësia e saj, në shprehjen e pëlqimin apo mospëlqimit të tij, në rastet kur votohet në sallën e Kuvendit për persona të veçantë. I tillë është realiteti në Greqi, Itali, Francë, Gjermani e me radhë. Në rast se do ti referohemi SHBA-ve është e mundshme, por le t’i referohemi që nga themelet, tek procesi zgjedhor, aty ku kutitë hapen edhe nga një qytetar i thjeshtë dhe ku transparenca nuk është instrumenti i qeverisë për të kontrolluar kongresmenët dhe senatorët por është instrumenti i qytetarit për të kontrolluar çdo institucion, duke qenë ai vetë qendra e gravitetit demokratik të atij vendi. Prandaj sharlatanizmat e kësaj natyre, qoftë me trumpetat e festës për një Projekt-rezolutë që është një bllok detyrash të rënda shtëpie për qeverinë, qoftë me buritë e transparencës në kushtet kur ky është pushteti i ngritur mbi mungesën e transparencës, janë shprehje e krizës së rëndë ku Shqipëria ndodhet. Një krizë e demokracisë, një krizë e drejtësisë e thelluar mbrëmë edhe më shumë dhe një krizë e ekonomisë, e cila rëndon përditë e më shumë në kurriz të shqiptarëve, por është përditë e më shumë e zhytur në misterin e shifrave reale që u fshihen qytetarëve pikërisht përmes mungesës së transparencës. Këto janë ato që doja të thoja në hapje të bashkëbisedimit, jam i hapur për pyetjet tuaja.

Zoti Rama , duke mbetur tek tema e fundit, tek ndryshimet ne rregullore që u miratuan dje pas një seance maratonë në parlament. Cili do të jetë hapi i mëtejshëm i opozitës, duke patur parasysh që me këto ndryshime do të kalojnë dhe tre propozimet e Presidentit Topi për anëtarët e gjykatës së Lartë. Duke patur parasysh që procedurialisht për këto ndryshime ju keni qenë kundër, çfarë do të bëni, do të merrni pjesë në shqyrtimin e këtyre kandidaturave në komisionin e ligjeve dhe më pas në parlament?

Këto nuk janë ndryshime në rregullore sepse kjo është një fjalë që e lehtëson jashtëzakonisht shumë peshën e rëndë të asaj që ka ndodhur. Ato janë ndryshime themelore të kushteve të bashkëjetesës mes pushteti dhe opozitës në sallën e një kuvendi i cili është përditë e më shumë kazerma e Sali Berishës dhe e post-komandantes Jozefin dhe gjithmonë e më pak parlamenti i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sigurisht që ne do të reagojmë me të gjithë forcën e nevojshme ndaj këtij grushti të mirëfilltë të pushtetit, në dëm të drejtësisë. E drejt e në fytyrë e qytetarit që sot kërkon drejtësi dhe është më pak i garantuar se mund ta gjej drejtësinë. Ky reagim do të diskutohet dhe do të formulohet nga Grupi Parlamentar. Por jam i bindur që do të jetë një reagim i fortë dhe i baras-vlefshëm me aktin brutal, jo si shprehje brutaliteti po si shprehje e filozofisë sonë të rezistencës ndaj këtij pushteti. Që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një mbretëri të pashpallur por që ne nuk do ta lejojmë.

Mazhoranca e cilëson si moment të rëndësishëm dhe moment feste të Projekt-rezolutës pikërisht atë moment që edhe ju e cilësuat të rëndësishëm, momenti i mikpritjes për liberalizimin e vizave. Pse u deshën dy ditë nga an juaj për të patur një reagim nga ana juaj për Projekt-rezolutën e PE. Ju kemi parë këto ditë që jeni vendosur në krye të punëve të Bashkisë së Tiranës, a mund të cilësohet kjo si një dështim i kauzës së kutive? Dje një nga krerët e lartë të PE tha në Tr, Daul se nuk ka një draft siç ka thënë PS që do të sillte kompromisin e madh mes palëve. Ndërkohë që si ju si eksponent të tjerë të PS keni deklaruar se jeni gati, vetëm mazhoranca nuk ka pranuar ta firmosë këtë draft?

Së pari në lartësinë e detyrës suaj si zyra e propagandës së qeverisë jeni tërësisht brenda të drejtës për të vazhduar të thoni se dështoi kauza jonë, gjë që e keni thënë që ditën e parë që ne e shpallëm kauzën tonë. Por, edhe ne jemi plotësisht brenda të drejtës sonë që të themi se sot kauza jonë është më e qartë dhe më e prekshme se kurrë në të gjitha nivelet e opinionit publik shqiptar e atij ndërkombëtar. Ajo çka ju lexova në këtë Projekt-rezolutë ju tregon se çështja e transparencës së zgjedhjeve është një çështje që mbetet në rendin e ditës. Përsa i përket shprehjes se nga njëra anë kënaqësisë së plotë për çka lidhet me liberalizimin e vizave si një domosdoshmëri për të gjithë shqiptarët që me plotë të drejtë e presin dhe krejt padrejtësisht kanë mbetur të fundit në Ballkan që nuk e kanë dhe nga ana tjetër shprehje së të gjithë pakënaqësisë lidhur me një situatë përshkruhet besnikërisht ne këtë Projekt-rezolutë pikërisht sot dhe jo dje, kjo është thjesht shprehje e respektit për atë institucion duke bërë leximin dhe analizën përkatëse të të gjitha këtyre pikave që unë fola sot. Nuk është aspak një neglizhencë apo një shtyrje e kohës e aq më pak akoma shprehje e asaj që ju thatë, duke bërë detyrën tuaj, gjë për të cilën unë ju komplimentoj.

Përsa i përket të dytës, zoti Daul siç e tha dhe vetë erdhi në një vizitë të planifikuar 4 muaj më parë. Bëri atë që do kishte bërë edhe katër muaj më parë, bëri fushatë për PD, si një parti simotër dhe për kryeministrin si një partner sivëlla. Përsa i përket çështjes konkrete të negociatave dhe të përfshirjes së tij e të kreut të grupit socialist dhe të tjerëve, gjë për të cilën unë e falënderoj përzemërsisht, unë i mbetem besnikërisht atyre që kam thënë dhe gjithçkaje që kam shkruajtur në letrën e adresuar zotit Daul dhe zotit Shulz, që shpresoj në kthim zoti Daul ta marrë.

Ju thatë se transparenca mbetet në rend të ditës të opozitën, por nuk duket të jetë për mazhorancën, tani që gjërave i është rikthyer normaliteti. Që do të thotë ju jeni në parlament, është ndërprerë bojkoti, është ndërprerë greva. Kush mbeten mjetet tuaj të presionit në drejtim të transparencës?

Kujtoj se në momentin që kemi bërë detyrën tonë duke u ndalur në një stacion ku u krijuan mundësitë për dialog dhe negociata, kam thënë e kemi thënë të gjithë së bashku, se ne këtu jemi. E në rast se rezultati nuk do të vi në këtë stacion ne do të rimarrim rrugën e protestës sonë, rrugën e përshkallëzimit të saj, siç tani më shqiptarët mbarë dhe mbarë ajo pjesë e vogël e botës së madhe demokratike që na ndjek e di se jemi në gjendje ta bëjmë, për ta gjetur zgjidhjen në stacionin e ardhshëm. Por nuk ka asnjë dyshim se sot kauza jonë është më e qartë dhe më e prekshme se dje dhe se këto negociata jo vetëm që nuk e kanë zbehur atë, por e kanë bërë edhe më prezent shqetësimin tonë në të gjitha nivelet. Sikundër e kanë bërë më të fortë vetëdijen tonë që jo vetëm të mos bëjmë asnjë milimetër mbrapa, por të bëjmë të tjera përpara. Përsa i përket këtyre hapave konkretisht, ditët në vijim do të jenë ditë të bashkëbisedimit dhe të vendimmarrjes së përbashkët në grupin parlamentar dhe më gjerë, për mënyrën sesi do të procedojmë. Duke besuar, duke shpresuar, e duke uruar se dhe mbi bazën e kësaj Projekt-rezolute, ku flitet qartë për krizën, ku flitet qartë për nevojën për transparencë, ku flitet qartë për gatishmërinë për të vazhduar dhe lehtësuar dialogun mes palëve zgjidhja të vijë si rezultat i vetëdijesimit të palës tjetër. Se këtë rezultat rezultat publik që ne kemi marrë përsipër ta mbrojmë, pala tjetër nuk e zhbën dot pas me forcën brutale të shumicës në parlament, që nuk është shumicë në popull, as me mjetet propagandiste që ka në dispozicion e as me altoparlantët e pasqyrat që sponsorizon dhe mbështet e që reciprokisht e sponsorizojnë dhe e mbështesin, për të deformuar realitetin në sytë e shqiptarëve, që sot e shohin përditë e më qartë së Shqipëria është në krizë, pasi familja e tyre në tryezën e bukës dhe në mbijetesën e saj është përditë e më në vështirësi.

Zoti Rama a mund të themi që sot kriza politike nuk e kushtëzon më liberalizimin e vizave, ndryshe nga dje?

Që kriza politike nuk e kushtëzon liberalizimin e vizave, kjo ka qenë vijimësisht një besim i përbashkët. Sigurisht që ka ekzistuar dhe ekziston shqetësimi që degradimi i mëtejshëm i situatës, për shkak të thellimit të krizës, mund të krijojë shqetësim kërcënues edhe për këtë proces. Ky shqetësim ka qenë shprehje e domosdoshmërisë që kjo të mos ndodhë. Besoj që nuk ka shqiptarë të arsyeshëm që e ka ndjekur të gjithë trajektoren e protestës sonë dhe rrugës së rezistencës sonë, që të mund të turbullohet nga propaganda e turpshme e Sali Berishës dhe e gjithë korri i tij brenda dhe jashtë PD, po aty rrotull gjithsesi, që përpiqet të thotë se ne paskërkemi qenë kundër këtij liberalizimi. Ashtu siç paturpësisht thotë se ne paskërkeshim qenë kundër anëtarësimit në NATO, megjithëse ai vetë na ka falënderuar për mbështetjen që i dhamë procesit të reformave për anëtarësimin. Sigurisht që njohja është një proces i pafundëm, ashtu si kundër është i pafundëm procesi i deformacionit të së vërtetës që Sali Berisha ka zanatin të bëjë.

Zoti Rama duke patur parasysh që mazhoranca nuk po jep asnjë shenjë për të bërë transparencën që ju kërkoni dhe ju në vazhdimësi keni folur për një betejë nga e cila opozita nuk do të tërhiqet, si do të rinis kjo betejë?

Beteja e opozitës nuk do të rinis, beteja e opozitës është në zhvillim. Sigurisht nuk është një betejë lineare, është një betejë që ka kurbat e saj pikërisht sepse ne jemi një opozitë që përfaqëson një alternativë qeverisëse. Nuk jemi një forcë destruktive. Ne jemi një opozitë që përfaqëson shumicën e shqiptarëve në kërkim të një demokracie funksionale, të një drejtësie përpara të cilës janë të gjithë të barabartë, të një ekonomie që u jep shqiptarëve mundësinë të jenë të mirëqenë dhe nuk i zhyt ata në gropë të thellë thjesht dhe vetëm sepse pushteti kërkon të qëndrojë në fuqi. Për këtë arsye merr borxh në emër të secilit prej nesh dhe thjesht krijon iluzionin se gjërat për të gjithë ne shkojnë mirë. E si një opozitë e tillë në jemi tërësisht në koherencë me vizionin dhe filozofinë tonë, që sa herë ka mundësi për një dialog ti japim mundësin dialogut. Sa herë ka një dritare për komunikim që të gjendet zgjidhja ne menjëherë të fokusohemi tek ajo dritare. Sa herë të krijohen kushtet për tu ulur në tavolinë, menjëherë të ulemi në tavolinë sepse kërkojmë zgjidhjen dhe nuk e kemi këtë çështje një alibi për pushtet. Por e kemi këtë çështje një vetëdije në funksion të një Shqipërie europiane dhe normale që nuk është Shqipëria sot. E cila vetë kjo pasqyra e tregon është larg së qeni europiane dhe është edhe më larg së qeni normale.

Zoti Rama në një intervistë që keni dhënë kur ishit në SHBA, në kampin tjetër është interpretuar se nuk do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Në fakt ju vetë i lidhni marrëdhënien e kushtëzuar për transparencë me pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme vendore?

Ju thatë në kampin tjetër është përkthyer dhe këtu përfundon përgjigja ime. Ju nuk keni pse i referoheni leximeve të këqija. Lexoni sa më shumë në origjinal, sepse me përkthyes Sali Berishën një simfoni bëhet rapsodi.

Zoti Rama, në kuadër të ndryshimeve në rregullore, ju folët për një opozitë që është një alternativë qeverisëse. Ka dhjetëra ligje që janë kontestuar nga ju, kur të vij opozita në pushtet, këto ligje do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi? Ju si do të veproni me këto ligje?

Ne do të zhbëjmë çdo ligj të padrejtë që kjo shumicë, e dalë jo nga vota e popullit por nga deformimi i saj, ka miratuar jo për interesat e njerëzve por për interesat e atyre që sot e përbëjnë këtë shumicë e janë të mbledhur grusht me interesat e Sali Berishës.

NOA

KOMENTE