English

Ekon - 'G8' - Londra: Nuk Ka Divergjenca Shba-Evropë Mbi Strategjinë E Rimëkëmbjes

HUNTSVILLE (Kanada), 25 qershor /ATSH-AFP/ - SHBA-ja dhe Evropa nuk kanë divergjenca lidhur me strategjinë për ruajtjen e rimëkëmbjes ekonomike botërore, deklaroi sot zëdhënësi i kryeministrit britanik, David Cameron, në Huntsville, Kanada. ''SHBA-ja është e ndërgjegjshme se në vendin e saj po ashtu si edhe në vendet e tjera, që po përballen me probleme specifike të deficitit, ka arsye të forta dhe të qëndrueshme për përshpejtimin e ritmit të konsolidimit të buxhetit dhe besoj se G20-a do të pranojë këtë fakt", deklaroi zëdhënësi, pak para hapjes së samitit të G8-ës. ''Paralelisht, presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh shumë qartë lidhur me faktin se ekonomia botërore duhet të rikthehet sërish në rrugën e një rritjeje ekonomike afatgjatë dhe besoj se të gjithë janë dakord me këtë", theksoi ai. "Besoj se është koherent në mbështetjen me shumë vullnet dhe energji të nevojës për konsolidim të buxheteve dhe që njëkohësisht është totalisht në favor të rritjes", përfundoi ai. Krerët e shteteve dhe qeverive të G8-ës duhet të trajtojnë çështjen e deficiteve publike, që ka vënë në kundërshtim kryesisht Obama dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, gjatë një takimi hapës të samitit të G8-ës në Hunstville. Kjo çështje do të jetë edhe në thelb të diskutimeve të G20-ës, ku do të takohen krerët e shteteve më të industrializuara dhe ato kryesore në zhvillim, të shtunën dhe të dielën, në Toronto./ /i.p/
KOMENTE