Korçë: Zonja Topi Me Thirrjen "Duaje Veten", Sensibilizim Kunder Kancerit Te Gjirit
KORÇË, 25 qershor / ATSH, Behar Fejzulla / "Duaje vetveten", ishte thirrja që u drejtoi Zonja e Parë e vendit, Teuta Topi, grave dhe vajzave, në takimet të premten me punonjës të shëndetësisë dhe intelektualë të Korçës, me objekt, sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e grave për parandalimin në kohë të kancerit të gjirit.
Në Qendrën e Kujdesit Shëndetësor Paliativ "Meri Potter", znj. Topi në një bashkëbisedim me personelin dhe mjekë të spitalit të Korçës, duke vlerësuar punën e mire të qendrës përmes projektit "Ndërgjegjësimi i grave për sëmundjet kanceroze", mbështetur nga Fondacioni "Vodafone Albania", tha se "kapja në kohë dhe parandalimi mbet pikë kyçe dhe ndikon shumë në uljen e vdekshmërisë amëtare, në uljen e kostove ekonomike dhe traumave familjare".
Ajo kërkoi që shteti, shoqëria civile dhe shkollat të bëjnë më shumë për një edukatë shëndetësore të kualifikuar.
Drejtorja ekzekutive e Qendrës së Kujdesit Shëndetësor Paliativ, Irena Laska, informoi Zonjën e Parë Topi mbi punën që bën personeli, ndërsa Qendra e ka shtrirë ndihmën dhe kujdesin për të sëmurët në të gjithë rrethet e Qarkut të Korçës me mjekim falas.
Në takimin me intelektualë të Korçës, znj Topi pasi dëgjoi fjalën e mjekëve specialistë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për sensibilizimin e popullates, kapjen në kohë dhe parandalimin e kancerit të gjirit, u bëri thirrje grave që të mos ngurojnë për t'u vizituar. "Një grua e emancipuar së pari, kujdeset për shëndetin, sepse kështu do të jetë e aftë për të kontribuar në familje, shoqëri dhe ekonomi", tha ajo.
Gjatë vizitës në Korçë, znj Teuta Topi bëri një takim edhe me gra të një firme rrobaqepësie ku u njoh nga afër me problemet e tyre./n.m/