English

Kryebashkiaku Rama:Adresari i ri i kryeqytetit në dorë të qytetarëve në 2011

Tiranë, 25 qershor, NOA – Pas 20 vjetësh të ndërrimit të sistemeve, kur kryeqyteti shqiptar është katërfishuar në intensitetin e tij urban, social dhe ekonomik, Tirana në fillim të vitit 2011 do të ketë adresarin e ri.

Ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama që prezantoi sot punën për adresarin e ri të Tiranës, i cili sipas tij do t’u shërbejë të gjithë banorëve të kryeqytetit, por edhe institucioneve dhe enteve private për të komunikuar më shpejt.

Duke qenë se Tirana gjatë zhvillimeve të këtyre viteve ka humbur strukturën e mëparshme të qytetit pa u sistemuar në një adresar të ri, Kryebashkiaku Edi Rama në prezantimin e adresarit të ri tha se me këtë proces, të nisur prej vitesh janë identifikuar tashmë të gjitha rrugëtt, vendbanimet e banorëve dhe të institucioneve.

“Në këtë adresar të ri janë 1300 rrugë të identifikuara, për të cilat kemi bashkëpunuar me Akademinë e Shkencave, mëe qëllim që çdo rrugë ta emërtonim duke ruajtur kriterin historik, traditën dhe po ashtu edhe për ta përditësuar me përpjekjen tonë për ta pasuruar fondin e emërtimit të rrugëve me një gamë të re”, tha kryebashkiaku në prezantimin e adresarit.

Sipas Ramës, pas 1300 rrugëve, janë numërtuar plot 65 mijë ndërtesa, një punë e kryer jo vetëm në zyrat e Bashkisë por e vëzhguar në terren, në të gjithë sipërfaqen e kryeqytetit, si dhe janë hedhur në hartën e kryeqytetit 158 mijë hyrje banesash, si ato kolektive, edhe ato private, përfshirë edhe çdo njësi tregtare.

Kryebashkiaku Rama, evidentoi se adresari si një sistem të dhënash i nevojshëm për qyteraët jep numrin identifikues për çdo banesë, me emrin e çdo qytetari, me adresën me emrin e rrugës, numrin e ndërtesës, lidhjen e tij me zyrën postare.

Ai shërben edhe si një sistem, hartë me vendodhjen e çdo njësie banimi, është sinjalistika e nevojshme e shtrirjes së vendbanimeve të qytetarëve, që përmbledh tabelat me emrat e rrugëve, numrat e banesave të çdo enti përkatës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, theksoi punën që po vijon për përmbylljen e këtij procesi në fillim të vitit 2011.

Ai bëri të ditur se tashmë, ka nisur puna për vendosjen e numrave të apartamenteve dhe godinave, një avantazh ky i madh që çdo qytetar apo ent përkatës ta gjejë tjesh vendin që kërkon në adresar.

“Sistemi është i thjeshtë dhe interaktiv me qëllim që në fund të këtij procesi në vitin 2011, ky adresar të jetë në dorë të qytetarëve që ata vetëm përmes emrit të gjejnë adresën që kërkojnë”, tha Rama.

Rama nënvizoi se së shpejti të dhënat e adresarit do të gjenden në faqen zyrtare të internetit, pa pagesë si dhe do të vendosen edhe pika informacioni anekënd kryeqytetit.

Duke qenë se në bashkëpunim edhe me njësitë minibashkiake do të bëhet edhe lidhja përkatëse e adresës së vendbanimit gjithkujt qytetari të Tiranës me regjistrin e gjendjes civile, kreu i Bashkisë së kryeqytetit i bëri thirrje qytetarëve të plotësojnë formularin e vendbanimit, si një kontribut i rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe funksionimin e procesit, në hapjen e portës së adresarit të kryeqytetit në shërbim të çdo qytetari.

mit/NOA
KOMENTE