Tiranë, 25 Qershor, NOA – Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë t’i jenë në ndihmë Kosovës, si atëherë kur ajo gjendej në krizë në vitin 1999, edhe tani që janë një shtet i pavarur.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije nga Tirana, vetë kreu i diplomacisë së Emirateve, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, i cili ka mbërritur në vendin tonë në kuadrin e një vizite zyrtare.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij Meta, ai tha se ka ardhur në Shqipëri edhe për të diskutuar me palën vendase se cilat janë rrugët më të mira për ta ndihmuar Kosovën.
Duke shtuar se një temë tjetër e bisedimeve është edhe ajo e gjendjes së rënduar në Lindjen e Mesme.
Ndërsa në lidhje me raportet bilaterale me Shqipërinë, ai tha se ato parashikohet që të shtohen në fushën e investimeve dhe atë të arsimit.
Bëhet me dijeni se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Al Nahyan do të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe presidentin e Republikës Bamir Topi.
Ndërkaq, kreu i diplomacisë së Emirateve të Bashkuara Arabe do të marrë pjesë nesër edhe në ceremoninë e inaugurimit të aeroportit të Kukësit.
n.e/NOA