Tiranë, 25 Qershor, NOA Update – “Ekonomia jonë, po reziston më mirë se ajo e rajonit dhe e Evropës”, është shprehur ndër të tjera kreu i qeverisë gjatë gjatë fjalimit që mbajti në ceremoninë e përurimit të një impianti teknologjik për rrugët rurale në Bërxullë të Tiranës.
Kjo pasi sipas tij, në kushtet e një krize financiare e cila ka përfshirë gjithë botën, Shqipëria ka shtuar së tepërmi eksportet si edhe ka shënuar rritje të konsiderueshme ekonomike.
“Nuk di ndonjë vend tjetër që të ketë dyfishuar eksportet “Made in Albania”, si ndonjë vend tjetër dhe nuk ka ndonjë sistem tjetër bankar ku depozitat të jenë rritur me 14 %”, bëri me dije ai.
Duke shtuar se vështirësitë sigurisht që pasqyrohen, por ekonomia shqiptare ekziston, sepse ajo është e bazuar kryekëput në mundin, djersën dhe përkushtimin e qytetarëve, është e bazuar në parime të shëndosha.
“Siç thotë një dokument i Bashkimit Evropian, Shqipëria rritjen ekonomike e ka të bazuar në investime, për të cilat zë vendin e parë në Evropë, se ka nevojë për t’u rindërtuar”, përfundoi ai lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA