Kukes: Aeroporti Merr Emrin E Presidentit Te Eba-S, Zayed
KUKES, 25 qershor/ATSH-R.Hoxha/- Në Kukës sot pasdite u zhvillua ceremonia e dhënies së emrit të presidentit të Emiratave të Bashkuara Arabe, (EBA), aeroportit të ri, "Khalifa Bin Zayed", ku merrnin ministri i Punëve të Jashtme të EBA-së, Abdullah bin Zyed Al Nayhan, zv/kryeministri dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, qindra banorë të qytetit e fshatrave përreth, drejtues të pushtetit vendor, deputetë, etj.
Përurimin dhe zbulimin e plllakës ku shkruhej në dy gjuhë "Aeroporti i Kukësit Khalifa Bin Zayed", e zbuluan dy ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe EBA-s.
Meta duke uruar ministrin e jashtëm të EBA, lartësinë e tij, Abdullah bin Zyed Al Nayhan, vlerësoi këtë ditë si një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për popullin e Kukësit, por edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Duke kujtuar pas 10 vitesh përballimin nga populli i Kukësit dhe Shqipërisë të një nga krizat më të rënda e më të veshtira humanitare, duke strehuar qindra mijë kosovarë të dëbuar nga regjimi i Milosheviçit nga Kosova, Meta tha se "në sajë të shpirtit të sakrificës e vendosmërisë së qytetarëve që kemi këtu u përballua kjo krizë humanitare edhe në saj të mbeshtetjes së miqve nga gjithë bota".
Meta veçoi se një nga vendet që kontriboi më shumë me bujari të jashtëzakonshme ishte EBA-ja.
"Ne sot përurojmë emrin e aeroportit që do të mbajë emrin e sheik Zayed duke u shndërruar kështu jo vetëm në një monument të shkëlqyer të kujtimit të asaj sakrifice dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të EBA-së, por dhe një mundësi për zhvillimin e rajonit e për të evidentuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve".
Duke çmuar faktin se ky aeroport mban emrin e një figure nga më të njohurat jo vetëm në Lindjen e Mesme, një prej figurave të jashtëzakonshme që kreu transformime të mëdha në vendin e vet, Meta tha se "aeroporti i Kukësit do të bëhet funksional në shërbim jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë e do të shtojë më tej marrëdhëniet midis Shqipërisë e shpiptarëve dhe EBA-së".
"Vetëm pak minuta më tutje është Kosova. Ju jo vetëm që ndihmuat popullin e Kosovës, por edhe duke e ndihmuar edhe tani popullin e Kosovës", theksoi Meta, duke kujtuar se vizita e sotme ministrit të jashtëm të EBA-s është e dyta, pas vizitës në Kukës në pranverën e vitit '99, kur ishte ministër i informacionit të EBA-s.
Ministri i Jashtëm i EBA, Sheiku Abdullah duke uruar popullin e Kukësit, tregoi se "kam qenë i mërzitur në vizitën time të parë këtu. Tani e shoh ndryshe, shoh buzëqeshjen në fytyrat tuaja".
Ai vuri theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, duke u shprehur se "jemi krenarë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dëshirojmë që këto të njohin zhvillim të mëtejshëm".
Duke iu referuar ndryshimeve në Shqipëri, sheiku Abdullah uroi edhe popullin kosovar të njohë të tilla zhvillime. "Ashtu sic keni përjetuar ju një zhvillim, të njëjtin gjë ua uroj edhe vëllezërve tuaj kosovarë", tha ai. Më pas gjithë të pranishmit vizituan mjediset e brendshme të aeroportit si dhe pistën e tij. /n.m/